Posted on Leave a comment

Si të ndihmoni të flejë një fëmijë që ka dhimbje barku të flejë më mirë?

Kolikat (dhimbjet e barkut) sigurisht që janë një sfidë tjetër ekstra pas lindjes për të gjithë prindërit. Fëmija jo vetëm që mund të jetë i acaruar gjatë ditës por do të shfaqë së tepërmi vështirësi edhe në momentin kur do të duhet të bjerë në gjumë gjatë natës si edhe gjatë dremitjeve të ditës.

Cila është metoda që do të funksiononte më tepër në këtë rast për të qetësuar beben edhe për ta bërë të flejë më mirë?

Përgjigjja është: Nëpërmjet lëvizjeve!

Po flasim për javët e para pas lindjes dhe fëmijën do ta qetësonte një ambient si në barkun e nënës.

Ngrohtësia, rehatia, qetësia dhe lëvizjet janë ato që e karakterizojnë jetën brenda uterusit prandaj nëse duam të qetësojmë një bebe duhet patjetër të rikrijojmë atë ambient.

Një ambient si në barkun e nënës. Çfarë na duhet të bëjmë?

Mbështjellim foshnjën me një mbështjellëse. Më pas duke ecur nëpër shtëpi, duke e mbajtur pranë trupit qoftë edhe nëpërmjet një fashe  do të ndihmojmë beben të ndihet i sigurt dhe i ledhatuar.

Cilat janë pozicionet më të mira në të cilat rekomandohet të mbahet fëmija?

  • Ndërsa lëvizni nëpër shtëpi me fëmijën mund ta shtrini mbi parakrahun tuaj duke vendosur të gjithë barkun sipër parakrahut dhe koka duhet të mbështetet tek pjesa e brendshme e bërrylit. Kjo do të jetë një metodë edhe më efektive. Do të shikoni se foshnja qetësohet dhe fle më shpejt/mirë në këtë pozicion.
  • Brenda një fashe. Fasha është një mjet të cilin shumë mjekë e rekomandojnë në këtë rast duke qënë se disa beba që vuajnë prej kolikave preferojnë të flejnë në pozicion disi lart, jo vetëm tek parakrahu.
  • Vendosja e një jastëku poshtë dyshekut ku fle fëmija. Edhe kjo do të shërbejë që pozicionimi i fëmijës të jetë disi lart.
  • Sipër kraharorit tuaj! Një tjetër pozicion që e qetëson foshnjën.

Levizjet “3D” gjithashtu tepër efektive!

Çfarë janë lëvizjet 3D? Janë lëvizje të kombinuara: ecja nëpër shtëpi me një kërcim shumë të butë dhe lëkundja lart/poshtë. Pra praktikimi i këtyre lëvizjeve do të shohim se do të jenë më tepër efektive se thjesht ecjet/lëkundjet me karriken lëkundëse që mund të keni në shtëpi.

Shumë foshnja nuk e preferojnë një formë të tillë qetësimi duke qënë se vihet re lëvizje vetëm në një drejtim.

Një tjetër “hile” që mund të përdorni për të qetësuar një bebe që vuan prej kolikave është: mos u përpiqni të silleni sikur do ta vendosni në gjumë!

Kështu fëmija do të ndiejë se nuk ka asgjë kundër së cilës duhet të “luftojë”. Duhet që në njëfarë mënyre të shtireni sikur nuk e keni aspak në plan diçka të tillë.

Ecni nëpër shtëpi, pozicionoheni tek fasha për ta mbajtur më pranë trupit tuaj dhe lëvizni nëpër shtëpi duke kryer edhe aktivitete të tjera.  

Posted on 12 Comments

Si duhet të jetë rutina e ditës nga mosha 0-3 muajshe?

Rutina është shumë e rëndësishme nëse duam  që fëmija të bëjë gjumë të qetë dhe cilësor. Në momentin që ju krijoni dhe ndiqni një rutinë për fëmijën automatikisht keni dhënë ndihmën që të rregullojë ciklin gjumë/zgjim dhe padyshim do të krijohet tek ai një model aktivitetesh që do të ndiqen gjatë ditës. në këtë formë fëmija do të fillojë të kuptojë atë ç’ka do të vijë më pas duke krijuar edhe njëfarë sigurie.

Sigurisht që në këtë moment të jetës, pra ndërsa fëmija është ende një i porsalindur, rutina duhet të jetë e thjeshtë dhe nuk duhet të zgjasë shumë. Rekomandohet që mesatarisht ajo të jetë 15 minuta. Dhe normalisht radha e veprimeve që kryhen gjatë ditës nuk duhet të jetë e njëjtë me veprimet që bëhen gjatë natës. Duke kryer të njëjtat veprime me të njëjtën radhë, në të njëjtin moment fëmija do të mësojë të lidhë atë ç’ka ndodh me momentin e gjumit.

“Në momentin që ju këndoni një ninullë pasi keni kryer edhe disa veprime të thjeshta fëmija me kalimin e kohës do të njohë afrimin e momentit të gjumit duke qënë se do të mësohet që pas asaj ninulle vjen kalimi në shtratin e vet”.

Rutina e një të porsalinduri (Ushqim-Aktivitet-Lojë-Gjumë)

  •  Ushqim-> Nëse fëmija do të ushqehet sapo të zgjohet nga gjumi do të jetë edhe më aktiv në ushqyerje. Pra do të thithë me më tepër forcë dhe normalisht do të stimulojë më mirë gjirin.
  • Aktivitet-> Ndërsa fëmija është një i porsalindur aktiviteti që kryhet është ndërrimi i pelenës apo ndërrimi i veshjeve.
  • Loja-> Edhe në këtë rast veprimet janë shumë të thjeshta pasi edhe hapësira e qëndrimit zgjuar që kemi në dispozicion deri në gjumin e radhës do të jetë e limituar. Të mos harrojmë se një bebe e porsalindur nuk rekomandohet të qëndrojë zgjuar më tepër se 60 minuta për arsye të tejlodhjes që mund të shkaktohet. Loja mund të përfshijë përkëdheljet në krahët tuaj, një këngë të qetë, qëndrimin barkaz për disa sekonda. Pra ndërveprimin tuaj me fëmijën duke ju përshtatur moshës.
  • Gjumi-> Pasi janë kryer të gjithë aktivitetet me një radhë të caktuar shkojmë në shtrat. Në këtë moment mund të ndihmoni fëmijën me anë të përkundjeve të bjerë në gjumë nëse nuk është në gjendje ta bëjë vetë.

Rutina e fëmijës të porsalindur gjatë natës (Gjumë-Ushqim-Gjumë)

Kjo është një radhë ideale veprimesh që rekomandohet të ndiqni gjatë natës në mënyrë që të shmanget ndërveprimi me fëmijën. Ushqeni fëmijën në qetësi gjatë natës, mos e stimuloni, dhe ndërsa ka përfunduar vaktin e vendosni në shtratin e vet.

Kjo lloj rutine mund të jetë e përshtatshme edhe gjatë javëve të para të jetës kur fëmija nuk bën gjë tjetër veçse ushqehet dhe fle si edhe gjatë shpërthimeve në rritje që përgjithësisht ndodhin gjatë:

  • Ditës 7-10 të jetës;
  • Javës 2-3;
  • Javës 4-6;
  • Muajit 3.

Rutina e të porsalindurit gjatë ditës në formën Gjumë-Aktivitet-Ushqyerje-Gjumë

Duke e ushqyer fëmijën me qumësht gjiri apo biberon do të vini re se ai do të bjerë në gjumë me më tepër lehtësi gjatë vaktit. Është tërësisht normale që kjo të ndodhë, dhe madje për shumë nëna kjo lloj rutine mund të jetë praktike duke qënë se e ndihmon fëmijën  të bjerë në gjumë pa shumë mundim. Nuk duhet të shqetësoheni nëse kjo ndodh edhe pse mund të jeni të vëtedijshme se kjo po krijon një ves gjumi.

Në këtë rast ka disa masa që mund të merrni për të parandaluar krijimin e një vesi duke u përpjekur ta mësoni fëmijën gradualisht të bjerë në gjumë pa ndihmën tuaj. Në këtë rast, nëse fëmija juaj e ka krijuar pak a shumë një ves të tillë provoni që pasi ka pirë ta zgjoni duke e bërë të gromësijë, të ndërroni pelenën apo duke të këndoni një ninullë në krahët tuaj. Këto veprime do të bëjnë që fëmija gradualisht të zgjohet.

Në këtë rast vendosni fëmijën në shtrat zgjuar por në gjendje gati përgjumësh. Këtë e bëni fillimisht (siç është shpjeguar edhe tek plani konkret) në gjumin e mbrëmjes dhe në momentin që ky është stabilizuar kaloni tek dy dremitje gjatë ditës. Pra në këtë formë fëmijës i mësohet të bjerë në gjumë pa thithur.

Posted on Leave a comment

Regresi i muajit të 4 (3-5 muajsh)

Në periudhën 3-5 muajshe ndodhin shumë ndryshime tek fëmija të cilat normalisht do të ndikojnë edhe në proçesin e gjumit. Mund të themi se aftësia më e madhe që fëmija fiton në këtë moshë është rrotullimi. Pra ndodh pikërisht mes muajit 3 dhe 5 të jetës. Vlen të përmendet se në këtë moment, kur shikoni se fëmija e ka fituar tashmë këtë aftësi duhet të mos përdorni më një mbështjellëse me ngjitëse anash pasi nuk do të jetë më e sigurt. Alternativa që mund të përdoret është mbështjellësja me zinxhir në formë thesi.

Por çfarë ndodh tek fëmija në këtë periudhë?

Pasi fëmija fiton aftësinë për t’u rrotulluar e cila patjetër ndikon tek mënyra si ai do të flejë përjeton edhe një ndryshim tjetër të madh. Tashmë modeli i gjumit do të ngjajë më tepër me atë së të rriturve.

Në të vërtetë ekziston një keqkuptim kur i referohemi si një regres  asaj ç’ka në këtë moment ndodh. Për arsye se edhe pse truri i fëmijës duket sikur përjeton një “regres” në të vërtetë ai pëson ndryshime të përhershme.

Në këtë pikë zhvillimi të fëmijës vihet re ndarja e mirëfilltë e fazave dhe cikleve të gjumit. Pasi nëse deri në këtë moment gjumi do të kishte vetëm fazën REM dhe JO-REM tani edhe faza JO-REM do të ndahet në cikle njësoj si edhe të rriturit.

Regresi i muajit të 4 ndodh pikërisht sepse fëmija është duke ndryshuar modelin e të fjeturit, nga modeli i një të porsalinduri në një model të ngjashëm me atë së të rriturve. Ky kalim nga një model në një tjetër nuk është i lehtë dhe paraqet shenjat e një regresi. Paqëndrueshmëria në gjumë që fëmija paraqet gjatë zhvillimit të trurit në këtë fazë padyshim do të ndikohet edhe nga ambienti, zhvillimi dhe rritja fizike si edhe zakonet e gjumit.

Aftësia që fëmija fiton në rrotullim dhe gjumi

Tashmë siç e thamë fëmija mëson të rrotullohet, kthehet, mëson të gjuajë me këmbë dhe këtë dëshiron ta praktikojë edhe gjatë natës. Pra të gjithë këto aftësi sigurisht që do të ndikojnë edhe në paqëndrueshmërinë që shfaqet gjatë kalimit në modelin e gjumit të sipërpërmendur.

Si duhet të veproni në këtë rast?

Fëmija duhet të praktikohet së tepërmi gjatë ditës. Nësë kthehet përmbys nuk duhet ta ktheni menjëherë në shpinë. Duhet të dini se kjo është një mënyrë me të cilën fëmija fillon të mësojë edhe si të bëjë gjumë të qetë, dhe padyshim kjo çon një një model të shëndetshëm gjumi.

Normalisht ju ende duhet të vendosni fëmijën të flejë në shpinë por nëse fëmija kthehet vetë përmbys nuk ka nevojë të ndërhyni.

Cilat janë hapat që duhet të ndiqni gjatë një regresi?

Në këtë rast fëmijët që nuk kanë tashmë vese gjumi do ta përjetojnë më mirë. A mundet të trajnoni fëmijën gjatë një regresi? Po, është tërësisht e mundur ta bëni këtë sipas teknikave të përcaktuara tek program.

Ndër hapat që duhet të ndërmerrni:

  • Mësoni fëmijën të flejë në mënyrë të pavarur (shpjegimi me teknikën përkatëse tek programi). Duke e bërë këtë fëmija jo vetëm do të mësojë të vetëqetësohet gjatë zgjimeve të natës por edhe do të ndihet i sigurt ndërsa hap sytë pasi ndodhet në po të njëjtin vend që ka rënë gjumë në momentin fillestar të mbrëmjes;
  • Asnjëherë mos kapërceni orën e gjumit të fëmijës dhe rregullisht vendoseni të flejë duke ndjekur kohën e qëndrimit zgjuar;
  • Dita duhet të jetë për lojë dhe ekspozim në natyrë. Duke e bërë këtë, pra duke ekspozuar fëmijën më tepër në diell dhe dritë, do të ndihmoni orën e tij të brendshme të zhvillohet dhe kjo do të ndikojë edhe në cilësinë e gjumit të natës që fëmija do të bëjë;
  • Krijoni ambientin e duhur për fëmijën. I qetë dhe mjaftueshëm i errët, pa stimuj dhe temperaturë jo më tepër se 20-22 gradë;
  • Rutina është shumë e rëndësishme. Nënkupton jo vetëm ndjekjen e veprimeve të caktuara në një rend të qartë por edhe në një orar fiks ç’do natë;
  • Ushqyerja e fëmijës duhet të bëhet para rutines dhe 1 orë para saj fëmija distancohet nga ambientet me drita të forta dhe zhurmë;
  • Edhe para rutinës aktivitetet duhet të jenë të qeta dhe qetësuese. Jepini fëmijës shumë dashuri, përkëdhelje, kohë qëndrimit në kontakt fizik me juve;
  • Gjithmonë respektoni minutazhin e ndërhyrjes të qartësuar tek programi i gjumit;
  • Ushqyerja e fëmijës gjatë natës duhet të bëhet pa fjalë, pa ndezur drita të forta (max një dritë minimaliste e kuqe), dhe nëse do t’ju duhet të ndërroni pelenën bëjeni atë sa më shpejt të jetë e mundur;
  • Tregoni qëndrueshmëri dhe nëse tashmë sipas programit fëmijës ja keni hequr veset mos ja riktheni. Nëse fëmija nuk ka vese dhe tashmë ka mësuar të bjerë në gjumë nuk do ta ketë të nevojshëm vazhdimisht ndërhyrjen gjatë kalimit nga një cikël gjumi në një cikël tjetër.
Posted on Leave a comment

Përdorimi i mbështjellëses tek i porsalinduri

Teknika e mbështjelljes së fëmijës duket se ka pasur dhe ende ka efekt mjaft poozitiv në lidhje me qetësimin e fëmijës. Qëllimi i përdorimit të saj është të krijohet një mjedis i ngjashëm me uterusin në mënyrë që fëmija të ndihet i sigurt dhe normalisht duke u kombinuar edhe me elementët e tjerë do të ndihmojë jo vetëm në qetësimin e të porsalindurit gjatë momenteve të kolikave por njëkohësisht do ta ndihmojë atë të flejë më qetë.

8 këshilla për një proçes sa më të sigurt

  • Nuk duhet të shtrëngoni shumë mbështjellësen që jeni duke përdorur. Nuk duhet ta bëni këtë duke qënë se shtrengimi i tepërt do të ngushtojë jo vetëm pjesën e gjoksit të fëmijës duke sjellë probleme në frymëmarrje por njëkohësisht do të shkaktojë edhe probleme tek pjesa e këmbëve si displazia. Pjesa e këmbëve duhet të jetë mjaftueshëm e lirshme që fëmija të kryejë lëvizje. Për të pasur një mbështjellje sa më të sigurt rekomandohet të përdoren mbështjellëset me ngjitëse anësore. Duhet të theksoj se edhe përdorimi i copave prej pambuku nuk është i gabuar por mbështjellësja e posaçme do t’iu mundësojë ta bëni këtë në një mënyrë sa më të sigurt.
  • Mbështjellësja duhet të mbahet larg fytyrës së fëmijës.
  • Fëmija nuk duhet të mbështillet më në momentin që fillon të rrotullohet dhe kjo mund të fitohet si aftësi rreth muajit 3-5 të jetës. Nëse përgjatë 8 javëve të para këshillohet të përdoret një mbështjellëse me ngjitëse anësore pas kësaj jave mund të përdoret mbështjellësja me zinxhir para e cila ngjan më tepër me një thes gjumi prej pambuku.
  • Gjithmonë fëmija duhet të vendoset të flejë në shpinë.
  • Sugjerimi im është të përdorni mbështjellësen nisur nga fakti se e ndihmon fëmijën të qetësohet dhe flejë më mirë, por nëse nuk e bëni muajt e parë mos filloni muajt në vazhdim. Pra vendimin nëse do ta bëni ose jo duhet ta merrni që në momentet e para pas lindjes.
  • Mos e mbështillni fëmijën në momentet kur ka temperaturë apo probleme të tjera shëndetësore.
  • Poziciononi si duhet krahët e fëmijës. Ato mund të vendosen në pozicion anësor ose pranë fytyrës. Mendohet se teknika e vendosjes pranë fytyrës nuk është shumë e përshatshme duke qënë se e bën fëmijën të flejë më gjatë dhe normalisht mund të kapërcejë ndonjë vakt. Megjithatë asnjëra prej tyre nuk është e gabuar. Ju duhet të zgjidhni atë që mendoni se e bën më të qetë dhe e bën fëmijën të ndihet më rehat. Nëse do të zgjidhni metodën e pozicionimit të duarve në anësore duhet të krijoni edhe njëfarë hapësire për lëvizshmëri (gjithmonë nëse nuk do të përdorni mbështjellësen e posacme).
  • Fëmija duhet të mbahet nën vëzhgim. Prandaj rekomandohet që gjatë ditës të monitoroni ambientin ku fle fëmija nëse do të përdoret një mbështjellëse dhe normalisht gjatë natës fëmija të qëndrojë në dhomën tuaj të gjumit.

Posted on Leave a comment

Lidhja mes jush dhe të porsalindurit, rëndësi të madhe edhe në stabilizimin e proçesit të gjumit

Tek disa prindër kjo lidhje nis menjëherë, por tek disa nëna kjo do të jetë disi më e vështirë. Ndikim në këtë rast do të ketë lodhja pas lindjes por njëkohësisht edhe shenjat e depresionit që mund të shfaqen. Pra nuk është aspak e pazakontë, mund t’i ndodhë shumë nënave që të mos jenë në gjendje të krijojnë një lidhje të thëllë dhe të menjëhershme me fëmijën.

Prandaj jemi këtu! Ta bëjmë këtë të ndodhë. Përse?

Sepse është hapi i parë që nevojitet të hidhni drejt fazës së njohjes me të porsalindurin. Të krijoni një lidhje për të njohur më pas beben tuaj, të kuptoni përse qëndrimi i trupit të tij ka ndryshuar, të kuptoni sinjalet dhe reflekset e tij, të zbuloni përse fëmija juaj është duke qarë. Është normale që fillimisht kjo do të jetë një sfidë për ju por me kalimin e kohës, duke dëgjuar dhe vëzhguar fëmijën do të kuptoni për çfarë ka nevoje dhe normalisht do të mësoni të përgjigjeni edhe në mënyrën e duhur.

Cilat janë mënyrat me të cilat ju do të mund të krijoni një lidhje më të mirë me të porsalindurin?

Gjatë 12 javëve të para pas lindjes e gjithë dita do të jetë e fokusuar tek ushqyerja dhe gjumi i fëmijës dhe përsa kohë ne duam që këto dy procese të stabilizohen si duhet, patjetër duhet të kalojmë në fokus edhe lidhjen që ekziston me fëmijën. Pra ndërsa përpiqeni ta bëni të voglin të flejë përpiquni edhe të kaloni kohë bashkë duke bërë aktivitete që do të krijojnë lidhjen mes jush.

Me çfarë duhet të punoni në këtë rast?

Bëni një banjo të ngrohtë me të porsalindurin

Kontakti me lëkurën tuaj dhe të bebes është shumë i rëndësishëm për stabilizimin e një sërë proceseve pas lindjes. Kombinimi i tij me ujin e ngrohtë jo vetëm do të shërbejën në qetësimin e fëmijës gjatë kohës që ai është i irrituar por edhe do të forcojë lidhjen mes jush.

Masazhoni beben dhe i këndoni shpesh ninulla

Masazhi është një praktikë mjaft e rëndësishme kur vjen puna tek qetësimi i të porsalindurit por edhe për të forcuar lidhjen mes të dyve. Po ashtu edhe ninulla do të ketë efekt pozitiv. Ndryshimi i tonit të zërit tuaj si edhe kontakti i afërt me fytyrën tuaj do të forcojë edhe më tepër lidhjen me të porsalindurin. 

Me siguri fëmija nuk do të kuptojë fjalët e asaj që ju jeni duke kënduar por nuk është ky problemi. Duke dëgjuar zërin tuaj si edhe duke parë fytyrën do të lidhet edhe më tepër me ju.

Kaloni kohë duke shëtitur

Ajri i pastër do të ketë efekte pozitive për të dy, qoftë për ty ashtu edhe për të porsalindurin. Do të jetë një mënyrë e mirë për të bërë aktivitet fizik por edhe për të marrë më tepër energji të përgjithshme pozitive. Mos u stepni për t’i folur fëmijës ndërsa shëtisni e madje mund edhe të emërtoni ato që shikoni përreth kjo do ta ndihmojë atë qe me rritjen të mësojë emrat e objekteve që e rrethojnë. 

Posted on Leave a comment

Përse qajnë fëmijët e porsalindur?

Lista e arsyeve përse fëmija juaj mund të qajë është si më poshtë:

  • Fëmija ka uri;
  • Ka nevojë për gjumë;
  • Pelena ka nevojë të ndërrohet;
  • Nuk ndihet rehat;
  • Ka marrë shumë/pak stimuj;
  • Ka gazra;
  • Ka ftohtë/nxehtë;
  • Ka nevojë të merret në krahë.

Përse bebet qajnë kur ndihen të lodhur?

Ndoshta do të ishte më e arsyeshme të mendojmë se një fëmijë i lodhur, që ka nevojë për gjumë të flejë?

Por sikur të ishte kaq e thjeshtë! E vërteta është se  një bebe e porsalindur tejlodhet shumë shpejt dhe normalisht nëse kjo ndodh do të vështirësojë edhe aftësinë për të rënë në gjumë. Në momentin që fëmija do të fillojë të ketë nevojë për gjumë do të irritohet dhe do të qajë. Në këtë moment, nëse keni vënë re se fëmija është tejlodhur (me shumë mundësi intervali i qëndrimit zgjuar nuk është respektuar) ai nuk do të mund të flejë pa e qetësuar më parë. Lajmi i mirë në lidhje me këtë është se për të qetësuar një fëmijë të porsalindur do të mjaftonin disa minuta tundje dhe përkëdhelje në krahët tuaj.

Disa fëmijë të porsalindur do të qajnë më shumë dhe duket sikur c’do tentativë për ta qetësuar do të rezultonte pa sukses. Kjo mund të ndodhë për shkak të kolikave (dhimbjeve të barkut).

Çfarë janë kolikat?

Themi se kemi të bëjmë me kolika nëse episodet e të qarave zgjasin më tepër se 3 orë dhe ndodhin për të paktën 3 herë në javë gjatë muajve të parë të jetës. Zakonisht kolikat përjetohen gjatë pasdites dhe nuk ka ende një shkak kryesor por mendohet se vijnë si pasojë e problemeve në tretje, si gazrat dhe refluksi. Sigurisht që në lidhje me qetësimin e tyre ka disa hapa që mund të ndiqni.

Edhe pse ne themi se gjatë periudhës kur fëmija ka kolika do të përjetohen të qara të forta shpesh abuzohet me këtë term dhe ç’do e qarë e fëmijës mund t’i adresohet pikërisht kolikave apo aftësisë për të ngopur fëmijën me qumësht.

Në të vërtetë fëmija qan edhe sepse i duhet një periudhë e caktuar kohe që të përshtatet me jetën jashtë barkut të nënës. Me ndjesitë e reja që përjeton.

Si të qetësoni fëmijën që qan nga dhimbjet e barkut?

  • Teknika “5S” do të jetë një ndihmë e madhe;
  • Kontakti me lëkurën e nënës. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni tërësisht zhveshur nga mesi e sipër dhe njëkohësisht kështu duhet të jetë edhe fëmija;
  • Bëni një masazh tek barku i fëmijës duke aplikuar pak vaj bebesh. Lëvizjet të jenë në formë rrethore;
  • Përdorni zhurmat e bardha;
  • I bëni një shëtitje me karrocë në natyrë;
  • Bëni një masazh në të gjithë trupin;
  • Fëmija duhet të gromësijë gjithmonë pasi është ushqyer;
  • Mund të provoni të bëni këmbët e fëmijës në formë biçiklete;
  • Flisni me mjekun në lidhje me një medikament qetësues që mund të përdorni.

E dini se për nënat gjidhënëse çaji i finokut mund të ketë efekte pozitive në këtë rast?

Finoku njihet për vetitë e tij galaktologe (nxit prodhimin e qumështit në sasi më të mëdha) dhe njëkohësisht nxjerr gazrat/lehtëson dhimbjet e barkut. Prandaj provojeni.

Qumështi i prodhuar enkas për dhimbjet e barkut

Në momentin që ju ushqeni fëmijën me qumësht formule dhe konstatoni se vuan nga dhimbjet e barkut mund të flisni me mjekun për të marrë një qumësht enkas për to. Gjendet me nënshkrimin “Comfort” dhe patjetër nevojitet aprovimi i mjekut të fëmijës.

Arsye të tjera përse fëmija i porsalindur mund të qajë:

  • Alergjitë ndaj bulmetit

Alergjia ndaj qumështit të lopës është tepër normale për fëmijët e vegjël. Në këtë rast nëse ushqeni me qumësht gjiri duhet të rishihni dietën. Pasi keni hequr produktet e bulmetit nga dieta përmirësimet do të vihen re pas mesatarisht 3-4 ditëve.

  • Refluksi

Njohur ndryshe edhe kthimi i qumështit pasi fëmija ka pirë. Është shumë “problem” i shpeshtë tek bebet dhe shkaktohet nga sfinkteri që pengon kthimin e ushqimit nga stomaku në ezofag. Në këtë rast ai nuk është maturuar si duhet. Këshillohet që vaktet të jenë të vogla por të shpeshta dhe mënyra e ushqyerjes të bëhet në pozicion vertikal. Rekomandohet gromësitja e fëmijës disa herë gjatë pirjes dhe pasi vakti ka përfunduar nevojitet qëndrimi në pozicion vertikal për një gromësitje prej 20-30 minutash. Në rastin kur fëmija ushqehet me qumësht formule kalimi në qumësht specifik (me rekomandim të mjekut) i cili do të gjendet me nënshkrimin “AR”. Masë shtesë që mund të merrni në këtë rast është ushqyerja e fëmijës me biberon enkas për refluks. Në këtë rast kjo shishe do të ketë një valvul shtesë.

  • Fluksi i madh i qumështit

Duhet të dini se të kesh qumësht gjiri në sasi të madhe ka të mirat por padyshim që ka edhe të këqijat e veta (nëse mund t’i quajmë të tilla). Në këtë rast fëmija do të irritohet për shkak të sasisë së madhe të qumështit dhe fluksit të lartë që do t’i shkojë. Kjo në disa raste do të jetë e vështirë të kuptohet duke qënë se fëmija nuk merr shumë qumësht me yndyrë dhe dëshiron të qëndrojë gjatë në gji, apo të vendoset shpesh. Në këtë rast duhet të lexoni këshillat që gjenden tek plani i gjidhënies.

  • Gjuha e lidhur

Në këtë rast të dyja format e ushqyerjes do të shoqërohen me të qara dhe irritime nga ana e fëmijës. Flisni me mjekun për të vepruar në mënyrën e duhur si edhe për të diagnostikuar problemin.

  • Ndikon edhe temperamenti i fëmijës

Edhe pse ju po bëni të pamundurën ta ndihmoni të përshtatet me botën e jashtme mund të ndodhë që disa fëmijë kërkojnë më tepër kohë. Kalimi nga barku i nënës në mjedisin e jashtëm do të jetë më i ëvshtirë. Në këtë rast fëmija ka nevojë për t’u qetësuar, sigurisht duhet të respektohen me përpikmëri intervalet e qëndrimit zgjuar, duhet të marrë shumë po shumë kontakt fizik me nënën duke përfshirë edhe kontaktin me lëkurën, rutina e aktiviteteve gjatë ditës duhet të jetë e rregullt po ashtu edhe para gjumit të mbrëmjes.

Posted on Leave a comment

A mundemi realisht të kuptojmë gjuhën e bebeve?

E qara nuk është e vetmja gjë që fëmija juaj i porsalindur mundet të bëjë! Ju mund të vini re se fëmija juaj gjatë gjumit mund të psherëtijë dhe kjo është krejt normale. Është shumë e rëndësishme të mos vraponi drejt fëmijës në ç’do sinjal që jep apo zhurmë që bën të paktën nëse nuk është momenti për t’u ushqyer. Nëse do të ndërhyni menjëherë sapo fëmija juaj fillon të lëvizë mund ta zgjoni nëse është duke kaluar nga një cikël gjumi në një cikël tjetër.

Kini parasysh se fëmija gjatë këtij kalimi edhe mund të qajë ndërsa është tërësisht në gjumë prandaj i jepni atij ndërsa është i porsalindur 1-2 minuta kohë dhe më pas, pas duke filluar nga muaji 3 mesatarisht 3-5 minuta kohë.

Gjuha e trupit dhe qëndrimi i të porsalindurit!

E dini se mënyra si fëmija juaj sillet tregon shumë? Se mund të kuptoni shumë gjëra duke analizuar gjuhën e trupit? Sepse ajo tregon më shumë nga sa ju mendoni në lidhje me nevojat e fëmijës!

Qëndrimi i të porsalindurit

Mënyra si fëmija i porsalindur qëndron do të jetë tërësisht ndryshe nga mënyra si qëndron një i rritur. Edhe pas lindjes ai do të vazhdojë të qëndrojë në pozicion të ngjashëm si në barkun e nënës. Që nënkupton duart pranë fytyrës, gjunjët dhe bërrylët e përthyer. Gjunjët pranë gjoksit.

Gjuha e e trupit së të porsalindurit

Duke pasur parasysh gjuhën e trupit të fëmijës do të kuptoni edhe më mirë se për çfarë ai ka nevojë.

  • Në momentin që fëmija fillon të lëvizë (gjuajë) me këmbë do të jetë një shenjë lumturie dhe entuziazmi. Bebet ndonjëherë gjuajnë në këtë mënyrë kur shikojnë diçka interesante. Shikoni me kujdes edhe fytyrën e tij. Nëse është duke qeshur ose ka zmadhuar sytë kjo nënkupton se po ndihet mirë. Nëse gjuajtjet e këmbëve shoqërohen me të qara dhe irritim nënkuptohet se fëmija është i mërzitur dhe ka diçka që e shqetëson.
  • Nëse fëmija nuk bën kontaktin me sytë dhe duket se shikimin e ka të përhumbur. Në këtë rast ka marrë shumë stimuj, është ngarkuar më tepër nga sa duhet dhe ka nevojë për pak “hapësirë”. Këtë mund të vini re ndërsa një person tjetër i rritur afrohet pranë fytyrës së tij.
  • Nëse fëmija ka ngulur sytë larg në ambientin ku ndodhet do të thotë se tashmë është lodhur dhe është gati për gjumë. Gjithashtu nëse fërkon sytë dhe fillon të acarohet do ta keni edhe më të vështirë ta bëni të flejë. Prandaj rekomandohet ndjekja me përpikmëri e hapësirave të qëndrimit zgjuar mes një dremitje dhe tjetrës. Shenjat e mësipërme si fërkimi i syve dhe acarimi janë sinjale se tashmë bebi juaj është lodhur.
  • Fëmija harkos shpinën pas. Ky do të merret si një sinjal që tregon se ai është mërzitur (sidomos nëse fillon të qajë dhe të bërtasë me të madhe). Harkosja e shpinës mund të shoqërohet edhe me disa sinjale të tjera si fërkimi i syve. Në të kundërt, nëse fëmija harkos shpinën dhe hap krahët duke u shtriqur nënkuptohet se është relaksuar.
  • Po nëse fëmija fillon të tërheqë apo gjuajë veshët? Kjo duhet të merret si një sinjal stresi dhe dhimbje. Mund të bëhet fjalë për gazra apo shqetësime të tjera në stomak, por nuk përjashtohet mundësia e një infeksioni në vesh (paraqitjani mjekut këtë në takim). Vështroni nga afër fytyrën e fëmijës, nëse ai qan dhe duket i mërzitur nënkuptohet se nuk ndihet rehat.