Bota e Gruas

Përse qajnë fëmijët e porsalindur?

Lista e arsyeve përse fëmija juaj mund të qajë është si më poshtë:

  • Fëmija ka uri;
  • Ka nevojë për gjumë;
  • Pelena ka nevojë të ndërrohet;
  • Nuk ndihet rehat;
  • Ka marrë shumë/pak stimuj;
  • Ka gazra;
  • Ka ftohtë/nxehtë;
  • Ka nevojë të merret në krahë.

Përse bebet qajnë kur ndihen të lodhur?

Ndoshta do të ishte më e arsyeshme të mendojmë se një fëmijë i lodhur, që ka nevojë për gjumë të flejë?

Por sikur të ishte kaq e thjeshtë! E vërteta është se  një bebe e porsalindur tejlodhet shumë shpejt dhe normalisht nëse kjo ndodh do të vështirësojë edhe aftësinë për të rënë në gjumë. Në momentin që fëmija do të fillojë të ketë nevojë për gjumë do të irritohet dhe do të qajë. Në këtë moment, nëse keni vënë re se fëmija është tejlodhur (me shumë mundësi intervali i qëndrimit zgjuar nuk është respektuar) ai nuk do të mund të flejë pa e qetësuar më parë. Lajmi i mirë në lidhje me këtë është se për të qetësuar një fëmijë të porsalindur do të mjaftonin disa minuta tundje dhe përkëdhelje në krahët tuaj.

Disa fëmijë të porsalindur do të qajnë më shumë dhe duket sikur c’do tentativë për ta qetësuar do të rezultonte pa sukses. Kjo mund të ndodhë për shkak të kolikave (dhimbjeve të barkut).

Çfarë janë kolikat?

Themi se kemi të bëjmë me kolika nëse episodet e të qarave zgjasin më tepër se 3 orë dhe ndodhin për të paktën 3 herë në javë gjatë muajve të parë të jetës. Zakonisht kolikat përjetohen gjatë pasdites dhe nuk ka ende një shkak kryesor por mendohet se vijnë si pasojë e problemeve në tretje, si gazrat dhe refluksi. Sigurisht që në lidhje me qetësimin e tyre ka disa hapa që mund të ndiqni.

Edhe pse ne themi se gjatë periudhës kur fëmija ka kolika do të përjetohen të qara të forta shpesh abuzohet me këtë term dhe ç’do e qarë e fëmijës mund t’i adresohet pikërisht kolikave apo aftësisë për të ngopur fëmijën me qumësht.

Në të vërtetë fëmija qan edhe sepse i duhet një periudhë e caktuar kohe që të përshtatet me jetën jashtë barkut të nënës. Me ndjesitë e reja që përjeton.

Si të qetësoni fëmijën që qan nga dhimbjet e barkut?

  • Teknika “5S” do të jetë një ndihmë e madhe;
  • Kontakti me lëkurën e nënës. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni tërësisht zhveshur nga mesi e sipër dhe njëkohësisht kështu duhet të jetë edhe fëmija;
  • Bëni një masazh tek barku i fëmijës duke aplikuar pak vaj bebesh. Lëvizjet të jenë në formë rrethore;
  • Përdorni zhurmat e bardha;
  • I bëni një shëtitje me karrocë në natyrë;
  • Bëni një masazh në të gjithë trupin;
  • Fëmija duhet të gromësijë gjithmonë pasi është ushqyer;
  • Mund të provoni të bëni këmbët e fëmijës në formë biçiklete;
  • Flisni me mjekun në lidhje me një medikament qetësues që mund të përdorni.

E dini se për nënat gjidhënëse çaji i finokut mund të ketë efekte pozitive në këtë rast?

Finoku njihet për vetitë e tij galaktologe (nxit prodhimin e qumështit në sasi më të mëdha) dhe njëkohësisht nxjerr gazrat/lehtëson dhimbjet e barkut. Prandaj provojeni.

Qumështi i prodhuar enkas për dhimbjet e barkut

Në momentin që ju ushqeni fëmijën me qumësht formule dhe konstatoni se vuan nga dhimbjet e barkut mund të flisni me mjekun për të marrë një qumësht enkas për to. Gjendet me nënshkrimin “Comfort” dhe patjetër nevojitet aprovimi i mjekut të fëmijës.

Arsye të tjera përse fëmija i porsalindur mund të qajë:

  • Alergjitë ndaj bulmetit

Alergjia ndaj qumështit të lopës është tepër normale për fëmijët e vegjël. Në këtë rast nëse ushqeni me qumësht gjiri duhet të rishihni dietën. Pasi keni hequr produktet e bulmetit nga dieta përmirësimet do të vihen re pas mesatarisht 3-4 ditëve.

  • Refluksi

Njohur ndryshe edhe kthimi i qumështit pasi fëmija ka pirë. Është shumë “problem” i shpeshtë tek bebet dhe shkaktohet nga sfinkteri që pengon kthimin e ushqimit nga stomaku në ezofag. Në këtë rast ai nuk është maturuar si duhet. Këshillohet që vaktet të jenë të vogla por të shpeshta dhe mënyra e ushqyerjes të bëhet në pozicion vertikal. Rekomandohet gromësitja e fëmijës disa herë gjatë pirjes dhe pasi vakti ka përfunduar nevojitet qëndrimi në pozicion vertikal për një gromësitje prej 20-30 minutash. Në rastin kur fëmija ushqehet me qumësht formule kalimi në qumësht specifik (me rekomandim të mjekut) i cili do të gjendet me nënshkrimin “AR”. Masë shtesë që mund të merrni në këtë rast është ushqyerja e fëmijës me biberon enkas për refluks. Në këtë rast kjo shishe do të ketë një valvul shtesë.

  • Fluksi i madh i qumështit

Duhet të dini se të kesh qumësht gjiri në sasi të madhe ka të mirat por padyshim që ka edhe të këqijat e veta (nëse mund t’i quajmë të tilla). Në këtë rast fëmija do të irritohet për shkak të sasisë së madhe të qumështit dhe fluksit të lartë që do t’i shkojë. Kjo në disa raste do të jetë e vështirë të kuptohet duke qënë se fëmija nuk merr shumë qumësht me yndyrë dhe dëshiron të qëndrojë gjatë në gji, apo të vendoset shpesh. Në këtë rast duhet të lexoni këshillat që gjenden tek plani i gjidhënies.

  • Gjuha e lidhur

Në këtë rast të dyja format e ushqyerjes do të shoqërohen me të qara dhe irritime nga ana e fëmijës. Flisni me mjekun për të vepruar në mënyrën e duhur si edhe për të diagnostikuar problemin.

  • Ndikon edhe temperamenti i fëmijës

Edhe pse ju po bëni të pamundurën ta ndihmoni të përshtatet me botën e jashtme mund të ndodhë që disa fëmijë kërkojnë më tepër kohë. Kalimi nga barku i nënës në mjedisin e jashtëm do të jetë më i ëvshtirë. Në këtë rast fëmija ka nevojë për t’u qetësuar, sigurisht duhet të respektohen me përpikmëri intervalet e qëndrimit zgjuar, duhet të marrë shumë po shumë kontakt fizik me nënën duke përfshirë edhe kontaktin me lëkurën, rutina e aktiviteteve gjatë ditës duhet të jetë e rregullt po ashtu edhe para gjumit të mbrëmjes.

Leave a Reply

Share:

Share on facebook
Share on twitter
Share on pinterest
Share on linkedin
Më të shikuarat

Postime të ngjashme

Share:

Share on facebook
Share on twitter
Share on pinterest
Share on linkedin