fbpx

Bota e Gruas

Struktura e dites per moshen 13 muajshe

Skema e gjumit për moshën 13 muajshe

Në moshën 13 muajshe fëmija fle ende në dy dremitje. A do të ketë fëmijë që do të kenë nëvojë të kalojnë në një dremitje te vetme? A është ende herët që kjo të ndodhë? Nëse po mendoni pyetje të tilla ju them: Po. Është e mundur të ndodhë tek disa fëmijë. Dhe kjo ndodh në rastet kur:

  • Fëmija është në gjendje të qëndrojë më gjatë zgjuar nga dremitja në dremitje;
  • Fëmija ka filluar të flejë në një dremitje nga 2-2.5 orë dhe tashmë nuk e ka të nevojshme një dremitje të dytë. Kjo sepse arrin të plotësojë nëvojat e veta ditore në një dremitje të vetme.

 Për sa gjumë ka nevojë në total gjatë ditës një fëmijë në moshën 13 muajshe?

Është shumë e rëndësishme të kuptoni dhe të keni nën vëzhgim limitet e orëve të gjumit që fëmija bën gjatë ditës. Në moshën 13 muajshe në mesatare fëmijët kanë nevojë për minimalisht 2 orë gjumë gjatë ditës si edhe maksimalisht rreth 3 orë, të ndara në 2 dremtje.

Nëse fëmija fle më pak se 2 orë do të tejlodhet, për pasojë do të shfaqen probleme si refuzim i gjumit të mbrëmjes me të qara të forta, të qara gjatë natës, rutina mbyllet me një fëmijë të acaruar dhe normalisht kjo tejlodhje do të ndikojë edhe në mënyrën si fëmija do të bashkëpunojë gjatë kohës që do të jemi duke ndjekur hapat e trajnimit. Pra nëse ne do të shkojmë në gjumin e mbrëmjes me një fëmijë të tejlodhur të qarat dhe refuzimi do të jenë tepër të forta për shkak të gjendjes së acaruar që krijon tejlodhja.

Ndërsa në rastin kur fëmija fle më tepër se 3 orë do të jemi para një situate nënlodhje e quajmë, pra fëmija nuk është gati ende të shkojë të flejë sepse do të ketë fjetur shumë gjatë ditës, dhe kjo kryesisht do të ndikojë tek qëndrimet e gjata zgjuar gjatë natës, tek refuzimi në mbrëmje sepse nuk dëshiron të flejë, dhe gjithcka do të bëhet edhe më e vështirë. Gjatë natës fëmija në këtë moshë do të ketë nevojë për 11-12 orë gjumë.

Shënim i rëndësishëm: Në shumë raste fëmija në këtë moshë mund të ketë filluar të frekuentojë cerdhen, dhe me shumë mundësi atje do të vendoset të flejë vetëm njëherë në ditë edhe nëse nuk do të jetë ende gati. Ju mund ta menaxhoni më mirë pa kaluar në tejlodhje duke afruar orarin e mbrëmjes, dhe duke vazhduar t’i ofroni ditë me dy dremitje përgjatë fundjavës. Shembujt e orareve që do të ndiqen do të jenë të specifikuara më poshtë.

Organizimi i ditës për moshën 13 muajshe

Në momentin që do të fillojmë të rregullojmë oraret e dremitjeve së pari duhet të shikojmë kur fëmija zgjohet në mëngjës. Nga këtu nis organizimi i ditës. Nëse kërkoni që fëmija të flejë herët në mbrëmje duhet edhe të zgjohet heret në mëngjes. Kini parasysh se një fëmijë që zgjohet në orën 10:00 nuk do të ketë të përshtatshëm orën 20:00 për të rënë në gjumin e natës. Kjo sepse dita në këtë moshë zgjat 12-13 orë dhe nata 11-12 orë.

Prandaj, nëse keni probleme me orarin e vonë që fëmija bën rishikoni kohën kur zgjohet? Dhe nëse është orar i vonë filloni ta ndryshoni. Pra le të jetë ky një nga hapat e parë të ndjekjes së trajnimit. Spostimi i kohës kur fëmija zgjohet dhe fle.

Shembull: Në momentin që nisni programin dhe vëreni se fëmija ka një orar tepër të vonë zgjimi në mëngjes i cili do të spostojë automatikisht edhe orarin e mbrëmjes nga atje duhet të filloni. Pra nëse qëllimi është që fëmijën ta bëni të zgjohet në orën 8:00 por zgjimi i tij për momentin është në orën 10:30 atëherë pikërisht nga këtu duhet të filloni të veproni. Pra ç’do ditë filloni të afroni orën e zgjimit duke e stimuluar ju vetë, orën e afroni në varësi edhe të karakterit të fëmijës, sa lehtë do të përshtatet me ndryshimet duke spostuar me 10-15 minuta njëherë në 1-2 ditë. Gjatë kohës që bëni spostimin e orareve ndiqni edhe intervalet e qëndrimit zgjuar që janë dhënë në mënyrë që gjatë ditës fëmija të mos lodhet. Mbani nën vëzhgim edhe sinjalet e lodhjes së fëmijës. Në momentin që keni arritur në intervalin e zgjimit që dëshironi atje ndaloni dhe zgjojeni fëmijën vazhdimisht në të njëjtën orë, mos lejoni të kalojë orari i fillimit të ditës me më tepër se 30 minuta.

Shembull skeme të orareve që mund të ndiqen:

Shembull skeme me 2 dremitje, intervalet standarte për moshën:

  • Zgjimi: 7:00;
  • Dremitja e parë: 10:25-11:25;
  • Dremitja e dytë: 14:55-15:55;
  • Rutina: 19:25;
  • Në shtrat për gjumë: 19:55

Shënim i rëndësishëm: Ky është një model ku i referohemi orareve të marra si shembull. Ju duke krijuar një ide nëpërmjet këtyre shembujve mund të krijoni skemën tuaj duke u bazuar tek intervalet e qëndrimit zgjuar që kam sugjeruar më sipër, nisur edhe nga ora kur fëmija zgjohet në mëngjes. Nisur nga këto intervale do të keni parasysh se duke qënë se janë intervale mesatare qëndrimi zgjuar nëse shikoni se fëmija refuzon gjumin duke qënë energjik dhe aktiv mund të rrisni kohën e qëndrimit zgjuar me 15-30 minuta.

Inntervalet që kam sugjeruar tek skema tradicionale më sipër, në moshën 13 muajshe nëse fëmija bën 2 dremitje do të jenë: 3.25/3.5/4  orë në gjumin e mbrëmjes.

Shembull skeme me 1 dremitje (nëse fëmija tashmë ka kaluar në një dremitje të vetme):

  • Zgjimi: 7:00;
  • Dremitja e ditës: 11:45-14:15;
  • Rutina dhe përgatitja për gjumë: 19:10;
  • Në shtrat për gjumë: 19:45.

Shënim i rëndësishëm: Ky është një tjetër model dremitjesh, një skemë e cila do të përshtatet tek fëmijët që tashmë kanë arritur të bëjnë kalimin në një dremitje gjatë ditës.

Përkatësisht intervalet në moshën 13 muajshe nëse fëmija bën vetëm 1 dremitje do të jenë: 4.75/5.25 orë qëndrim zgjuar deri në gjumin e mbrëmjes

Si do të aplikohen në mënyrë korrekte intervalet e qëndrimit zgjuar gjatë ditës?

Kini parasysh se gabimi më i shpeshtë që përgjithësisht bëhet është llogaritja e intervalit të qëndrimit zgjuar nga momenti që fëmija zgjohet deri në momentin që filloni rutinën. Dhe kjo përgjithësisht sjell tejlodhje të fëmijës duke qënë se kapërcehet limiti maksimal që mund të qëndronte zgjuar pa u lodhur.

Për shembull: Nëse themi se fëmija sugjerohet të qëndrojë zgjuar 4.75 orë, dhe zgjimi ka ndodhur në orën 7:00, rutina fillon në orën 11:30. Pra pasi janë plotësuar 4.5 orë qëndrim zgjuar.

Mënyra e saktë e llogaritjes së intervaleve do të jetë: Nga momenti që fëmija zgjohet deri në momentin që shkon të flejë. Pra nëse do të rillogarisim intervalin e mësipër, rutinën duhet ta fillojmë 10-15 minuta më herët, kjo nëse bëhet fjalë për dremitjet duke qënë se rutina para dremitjeve është më e shkurtër se ajo e gjumit të mbrëmjes.

Pra nëse fëmija zgjohet në orën 7:00 dhe në gjumin e para të ditës do të duhet të shkojë në orën 11:45, rutina duhet të fillojë në orën 11:30, me qëllim që 4.75 orëshi të plotësohet pasi rutina të ketë përfunduar dhe fëmija të jetë përgatitur plotësisht për gjumë.

Cfarë e bën gjithashtu fëmijën të flejë më qetë gjatë ditës:

  • Rutina para gjumit. Rutina para dremitjeve zgjat në mesatare 5-10 minuta. Rutina duhet të jetë c’do ditë e njëjtë, e përpiktë dhe një shembull do të jetë si më poshtë.

Ndërrim i pelenës, veshje të pizhamave, ninullë në krahë. Vazhdojmë me vendosjen në gjumë. Rutina duhet të kryhet brenda dhomës së gjumit.

  • Ambienti. Fëmija gjatë ditës nuk duhet të flejë në dhomë me drita të forta, zhurmë, apo njerëz. Asnjë fëmijë apo i rritur nuk është në gjendje të pushojë qetë në një ambient me aq shumë stimuj. Për këtë arsye gjithmonë kur vjen momenti që fëmija duhet të flejë futeni në dhomën e gjumit, filloni rutinën dhe vendoseni të flejë, përvec rasteve kur nuk është e mundur që fëmija të flejë brenda dhomës së gjumit. Ulni grilat, të dominojë errësira, mbani qetësi. Pasi përfundon rutina nuk dhet t’i flisni fëmijës. Kjo do ta vonojë edhe më tepër vendosjen në gjumë.

Si duhet të veprojmë nëse dremitjet janë të shkurtëra dhe fëmija nuk arrin të qëndrojë zgjuar në intervalet e mësipërme?

Mund të ndodhë edhe një situatë e tillë. Pra fëmija bën 3 dremitje 30 minutëshe dhe në dremitjen e radhës e ka të vështirë të qëndrojë gjatë mjaftueshem zgjuar, sipas intervaleve që janë përmendur më sipër. Për ta bërë më të thjeshtë zgjatjen e dremitjeve së pari na duhet të zgjasim kohën e qëndrimit zgjuar, por pas një dremitje 30 minutëshe kjo do të jetë e vështirë. Për këtë arsye gjatë kohës që jemi duke ndjekur programin do ta ndihmojmë ne të flejë më gjatë se 30 minuta që të krijojmë strukturën e duhur të organizimit të ditës për moshën. 

Nëse fëmija ndihmohet prej jush të flejë dhe jeni duke menduar të filloni apo tashmë keni nisur trajnimin e natës, atëherë gjatë ditës fokusohemi të krijojmë një orar të njëjtë zgjimi në mëngjes, ndjekim intervalet e qëndrimit zgjuar duke u bazuar edhe tek sinjalet e lodhjes së fëmijës, bëjmë rutinën dhe gjithçka është përmendur më sipër dhe vazhdojmë e vendosim në gjumë njësoj siç keni vepruar deri para nisjes së këtij trajnimi. Në momentin që zgjohet pas 30 apo 40 minutave dhe ju këtë interval tashmë e dini, ndërhyni në mënyrë të menjëhershme dhe tentoni ta riktheni në gjumë në po të njëjtën formë sic keni vepruar në fillim në momenin që e keni vendosur te flejë. Pa i folur, pa ndezur dritë, pa e nxjerrë nga dhoma, pra në qetësi absolute. Tentoni për 15-20 minuta nëse nuk rikthehet në gjumë dilni nga dhoma dhe vazhdoni në dremitjen e radhës duke ju përmbajtur gjatë gjithë ditës intervaleve.

Mbani mend se: Pas një dremitje të shkurtër fëmija do të priret të qëndrojë më pak zgjuar dhe anasjelltas.

Leave a Reply

Share:

Më të shikuarat

Postime të ngjashme