
Skema dhe detajet e orareve të gjumit për moshën 7 muajshe
Tashmë në moshën 7 muajshe do të shohim se fëmija mund të bëjë ende 3 dremitje dhe për disa fëmijë do të vazhdojë të jetë kështu edhe për 1-2 muaj të tjerë. Pra do të vazhdojmë të kemi ende 3 dremitje nga të cilat dy do të jenë më të gjata dhe e treta do të zgjasë rreth 30-45 minuta.
Për sa gjumë ka nevojë një fëmijë në moshën 7 muajshe?
Është shumë e rëndësishme të kuptoni dhe të keni nën vëzhgim limitet e orëve të gjumit që fëmija bën gjatë ditës. Në moshën 7 muajshe në mesatare fëmijët kanë nevojë për minimalisht 2 orë gjumë gjatë ditës si edhe maksimalisht rreth 3 orë. Ç’ka do të thotë se me shumë mundësi nëse fle më pak se 2 apo më tepër se 3 orë do të shfaqen probleme si refuzim i gjumit të mbrëmjes, zgjime të shpeshta gjatë natës, qëndrime zgjuar për një kohë të gjatë natën si pasojë e gjumit të tepërt mund të jetë bërë gjatë ditës, zgjime të hershme në mëngjes dhe me radhë. Prandaj gjithmonë kini parasysh sa orë fëmija juaj fle gjatë ditës. Gjatë natës nevojiten në mesatare 11-12 orë gjumë.
Në moshën 7 muajshe mund të ndodhë që fëmija të fillojë të shfaqë shenja refuzimi të dremitjes së tretë në disa ditë të caktuara gjatë javës, pra në disa momente do të ketë nevojë për një qëndrim më të gjatë zgjuar në mënyrë që të arrijë të ndërtoje mjaftueshëm presion gjumi, pra të lodhet mjaftueshëm që të flejë qetë në gjumin e radhës. Nëse do të ketë ditë të tilla është shumë ok, pra ende nuk jemi në fazën e ndjekjes së orareve fikse gjatë secilës dremitje apo gjumit të mbrëmjes. Dhe mund të ketë ditë gjatë javës që do të nevojiten 2 dremitje dhe do të ketë ditë që do të nevojiten 3 dremitje. Kjo derisa të stabilizohet përfundimisht dita me 2 dremitje. Që mund të ndodhë gjatë muajit të radhës.
Organizimi i ditës për moshën 7 muajshe
Në momentin që do të fillojmë të rregullojmë oraret e dremitjeve së pari duhet të shikojmë kur fëmija zgjohet në mëngjës. Nga këtu nis organizimi i ditës. Nëse kërkoni që fëmija të flejë herët në mbrëmje duhet edhe të zgjohet heret në mëngjes. Kini parasysh se një fëmijë që zgjohet në orën 10:00 nuk do të ketë të përshtatshëm orën 20:00 për të rënë në gjumin e natës. Kjo sepse dita në këtë moshë zgjat 12-13 orë dhe nata 11-12 orë.
Prandaj, nëse keni probleme me orarin e vonë që fëmija bën rishikoni kohën kur zgjohet? Dhe nëse është orar i vonë filloni ta ndryshoni. Pra le të jetë ky një nga hapat e parë të ndjekjes së trajnimit. Spostimi i kohës kur fëmija zgjohet dhe fle.
Shembull: Në momentin që nisni programin dhe vëreni se fëmija ka një orar tepër të vonë zgjimi në mëngjes i cili do të spostojë automatikisht edhe orarin e mbrëmjes nga atje duhet të filloni. Pra nëse qëllimi është që fëmijën ta bëni të zgjohet në orën 8:00 por zgjimi i tij për momentin është në orën 10:30 atëherë pikërisht nga këtu duhet të filloni të veproni. Pra ç’do ditë filloni të afroni orën e zgjimit duke e stimuluar ju vetë, orën e afroni në varësi edhe të karakterit të fëmijës, sa lehtë do të përshtatet me ndryshimet duke spostuar me 10-15 minuta njëherë në 1-2 ditë. Gjatë kohës që bëni spostimin e orareve ndiqni edhe intervalet e qëndrimit zgjuar që janë dhënë në mënyrë që gjatë ditës fëmija të mos lodhet. Mbani nën vëzhgim edhe sinjalet e lodhjes së fëmijës. Në momentin që keni arritur në intervalin e zgjimit që dëshironi atje ndaloni dhe zgjojeni fëmijën vazhdimisht në të njëjtën orë, mos lejoni të kalojë orari i fillimit të ditës me më tepër se 30 minuta.
Shembull skeme të orareve që mund të ndiqen:
Shembull skeme me 3 dremitje:
- Zgjimi: 7:00;
- Dremitja e parë: 9:15-10:15;
- Dremitja e dytë: 12:45-13:45;
- Dremitja e tretë: 16:15-16:45;
- Rutina: 19:00;
- Në shtrat për gjumë: 19:30
Shënim i rëndësishëm: Ky është një model ku i referohemi orareve të marra si shembull. Ju duke krijuar një ide nëpërmjet këtyre shembujve mund të krijoni skemën tuaj duke u bazuar tek intervalet e qëndrimit zgjuar që kam sugjeruar më sipër, nisur edhe nga ora kur fëmija zgjohet në mëngjes.
Përkatësisht intervalet që kam sugjeruar tek skema më sipër, në moshën 7 muajshe nëse fëmija bën 3 dremitje do të jenë: 2.25/2.5/2.5/2,75 orë në gjumin e mbrëmjes.
Shembull skeme me 2 dremitje:
- Zgjimi: 7:00;
- Dremitja e parë: 9:30-11:00;
- Dremitja e dytë: 14:15-15:45;
- Rutina: 18:45;
- Në shtrat për gjumë: 19:15.
Shënim i rëndësishëm: Ky është një tjetër model dremitjesh, tashmë dita do të jetë e organizuar në 2 dremitje. Ju duke krijuar një ide nëpërmjet këtyre shembujve mund të krijoni skemën tuaj duke u bazuar tek intervalet e qëndrimit zgjuar.
Përkatësisht intervalet në moshën 7 muajshe nëse fëmija bën 2 dremitje do të jenë: 2.5/3.25/3.5 orë qëndrim zgjuar deri në gjumin e mbrëmjes
Si do të aplikohen në mënyrë korrekte intervalet e qëndrimit zgjuar gjatë ditës?
Kini parasysh se gabimi më i shpeshtë që përgjithësisht bëhet është llogaritja e intervalit të qëndrimit zgjuar nga momenti që fëmija zgjohet deri në momentin që filloni rutinën. Dhe kjo përgjithësisht sjell tejlodhje të fëmijës duke qënë se kapërcehet limiti maksimal që mund të qëndronte zgjuar pa u lodhur.
Për shembull: Nëse themi se fëmija sugjerohet të qëndrojë zgjuar 2.5 orë, dhe zgjimi ka ndodhur në orën 7:00, rutina fillon në orën 9:30. Pra pasi janë plotësuar 2.5 orë qëndrim zgjuar.
Mënyra e saktë e llogaritjes së intervaleve do të jetë: Nga momenti që fëmija zgjohet deri në momentin që shkon të flejë. Pra nëse do të rillogarisim intervalin e mësipër, rutinën duhet ta fillojmë 10-15 minuta më herët, kjo nëse bëhet fjalë për dremitjet duke qënë se rutina para dremitjeve është më e shkurtër se ajo e gjumit të mbrëmjes.
Pra nëse fëmija zgjohet në orën 7:00 dhe në gjumin e para të ditës do të duhet të shkojë në orën 9:30, rutina duhet të fillojë në orën 9:15, me qëllim që 2.5 orëshi të plotësohet pasi rutina të ketë përfunduar dhe fëmija të jetë përgatitur plotësisht për gjumë.
Cfarë e bën gjithashtu fëmijën të flejë më qetë gjatë ditës:
- Rutina para gjumit. Rutina para dremitjeve zgjat në mesatare 5-10 minuta. Rutina duhet të jetë c’do ditë e njëjtë, e përpiktë dhe një shembull do të jetë si më poshtë.
Ndërrim i pelenës, veshje të pizhamave, ninullë në krahë. Vazhdojmë me vendosjen në gjumë. Rutina duhet të kryhet brenda dhomës së gjumit.
- Ambienti. Fëmija gjatë ditës nuk duhet të flejë në dhomë me drita të forta, zhurmë, apo njerëz. Asnjë fëmijë apo i rritur nuk është në gjendje të pushojë qetë në një ambient me aq shumë stimuj. Për këtë arsye gjithmonë kur vjen momenti që fëmija duhet të flejë futeni në dhomën e gjumit, filloni rutinën dhe vendoseni të flejë, përvec rasteve kur nuk është e mundur që fëmija të flejë brenda dhomës së gjumit. Ulni grilat, të dominojë errësira, mbani qetësi. Pasi përfundon rutina nuk dhet t’i flisni fëmijës. Kjo do ta vonojë edhe më tepër vendosjen në gjumë.
Si duhet të veprojmë nëse dremitjet janë të shkurtëra dhe fëmija nuk arrin të qëndrojë zgjuar në intervalet e mësipërme?
Mund të ndodhë edhe një situatë e tillë. Pra fëmija bën 3 dremitje 30 minutëshe dhe në dremitjen e radhës e ka të vështirë të qëndrojë gjatë mjfatueshem zgjuar, sipas intervaleve që janë përmendur më sipër. Për ta bërë më të thjeshtë zgjatjen e dremitjeve së pari na duhet të zgjasim kohën e qëndrimit zgjuar, por pas një dremitje 30 minutëshe kjo do të jetë e vështirë. Për këtë arsye gjatë kohës që jemi duke ndjekur programin do ta ndihmojmë ne të flejë më gjatë se 30 minuta që të krijojmë strukturën e duhur të organizimit të ditës për moshën.
Nëse fëmija ndihmohet prej jush të flejë dhe jeni duke menduar të filloni apo tashmë keni nisur trajnimin e natës, atëherë gjatë ditës fokusohemi të krijojmë një orar të njëjtë zgjimi në mëngjes, ndjekim intervalet e qëndrimit zgjuar duke u bazuar edhe tek sinjalet e lodhjes së fëmijës, bëjmë rutinën dhe gjithçka është përmendur më sipër dhe vazhdojmë e vendosim në gjumë njësoj siç keni vepruar deri para nisjes së këtij trajnimi. Në momentin që zgjohet pas 30 apo 40 minutave dhe ju këtë interval tashmë e dini, ndërhyni në mënyrë të menjëhershme dhe tentoni ta riktheni në gjumë në po të njëjtën formë sic keni vepruar në fillim në momenin që e keni vendosur te flejë. Pa i folur, pa ndezur dritë, pa e nxjerrë nga dhoma, pra në qetësi absolute. Tentoni për 15-20 minuta nëse nuk rikthehet në gjumë dilni nga dhoma dhe vazhdoni në dremitjen e radhës duke ju përmbajtur gjatë gjithë ditës intervaleve.
Mbani mend se: Pas një dremitje të shkurtër fëmija do të priret të qëndrojë më pak zgjuar dhe anasjelltas.