Posted on Leave a comment

Një nga problemet më të shpeshta të gjidhënies/Thithat e çarë

Thithat apo areola mund të pësojnë çarje për një sërë arsyesh të ndryshme si:

  • Parregullsi të thithit/thitha të futur;
  • Thithi prek pjesën e fortë të qiellzës së fëmijës si pasojë e një kapje jo të mirë të gjirit;
  • Fëmija kafshon pjesën e thithit;
  • Mund të jetë shfaqur fryrje e gjinjve;
  • Mund të kemi të bëjmë me thrush (myk);
  • Mund të jetë shfaqur një infeksion tek gjendrat Montgomery;
  • Lëkura mund të jetë e prekur nga psoriaza, dermatit, ekzema apo herpes;
  • Mund të kemi të bëjmë me vasozpazmë.

Dhimbja në këtë rast mund të jetë e madhe, dhe paramendoni se fëmija do të pijë minimalisht 8-12 vakte në ditë. Pra situata mund të bëhet e vështirë dhe normalisht nevojitet trajtimi i duhur. Në shumicën e rasteve dhimbja do të ndihet gjatë momentit kur fëmija pi por nuk përjashtohet mundësia që në disa raste të ndieni dhimbje edhe midis vakteve.

Prandaj mos neglizhoni asnjë lloj dhimbje që vjen nga gjiri në momentin që fëmija e kap të pijë. Kontrolloni pozicionimin, a është bërë kapja si duhet?

Si të trajtoni çarjet e thithave?

  • Shikoni mënyrën si fëmija është pozicionuar në gji. Ushqeni sipas metodës “Thompson”. Videon e teknikës e gjeni edhe në faqen e Instagramit të postuar në pjesën IGTV.
  • Nëse duhet të hiqni dhe vendosni shpesh fëmijën të thithë gjirin duhet ta bëni këtë në momentin që thithja nuk është aktive, shkëputjen e bëni në mënyrë graduale.
  • Nuk duhet ta lini gjirin e çarë “të pushojë”. Kjo mund të shkaktojë fryrje të tij dhe për pasojë do të përjetohet edhe me tepër dhimbje.
  • Rekomandohet të përdoren guackat mbledhëse të qumështit. Nëse do të mbahet gjiri i lagësht plaga do të rikuperojë më mirë. Rekomandohet që gjatë kohës që fëmija nuk pi të mbani gjithmonë vendosur brenda reçipetave guackat.
  • Pasi fëmija ka përfunduar së piri aplikoni qumështin e gjirit tek thithat (ka veti anti-bakteriale) dhe i lini gjinjtë të ajrosen. Vendosni guackat dhe vishni reçipetat e pambukta.
  • Nëse lëkura është e çarë flisni me farmacisten tuaj për të përshkruar një krem me përbërje antibiotiku për të parandaluar infeksionet.
  • Evitoni përdorimin e kremit me përbërje Lanoline nëse kemi të bëjmë me praninë e mykut. Përkeqëson situatën.
  • Nëse fëmija ka pika/pllakëza të bardha në gojë dhe ju ndieni dhimbje/djegie gjatë vaktit flisni me mjekun për të përshkruar një krem me veti anti-fungiale për veten dhe fëmijën. Trajtimi në këtë rast për të qënë efektiv duhet të bëhet në formë paralele.