Gjaku që shfaqet në qumështin e gjirit mund të jetë alarmues ne pamje te pare prej nenes, por zakonisht nuk është shenjë e një problemi serioz. Në fakt, rreth 15% e nënave që ushqejnë fëmijët me gji kanë gjak në qumështin e tyre, edhe pse ata mund të mos kenë simptoma dhe gjaku mund të mos jetë i dukshëm.
Shkaqet më të zakonshme të gjakut në qumësht ose shkarkimit të gjakut nga thithi janë:
- Plasaritje ose dëmtime tek thithat;
- Gjakderdhje nga kapilarët: Enët e vogla të gjakut (kapilarët) në gji mund të çahen nga rritja e shpejtë e presionit të qumështit dhe ndryshimet në indet e gjirit gjatë shtatzënisë së vonë dhe laktacionit të hershëm. Kjo është më e zakonshme tek nënat e reja dhe zakonisht ndodh në të dy gjinjtë. Zakonisht është pa dhimbje dhe zakonisht zhduket brenda 3-7 ditëve. Kjo ndonjëherë quhet “sindromi i tubit të ndryshkur”, pasi qumështi mund të ngjajë me ujin e ndryshkur që del kur hapet një rubinet uji i papërdorur për një kohë të gjatë. Kapilarët gjithashtu mund të çahen nga trauma në gji ose përdorimi jo i duhur i një pompe gjiri;
- Papilloma intraduktale, një rritje e vogël në mukozën e kanalit e cila mund të rrjedhë gjak kur të gërryhet nga rrjedhja e qumështit ose gjatë ushqyerjes ose pompimit. Rritjet janë beninje dhe nuk mund të shkaktojnë ndonjë dhimbje apo siklet. Gjakderdhja për shkak të papillomës zakonisht ndalet brenda 3-7 ditëve.
Shënim i rendesishem: Nëse foshnja po konsumon qumësht me gjak, jashtëqitja e tij mund të bëhet e zezë ose e zbehtë, ose të ketë njolla të zeza në të.
Shenjat dhe simptomat
- Qumështi duket i kuqërremtë, rozë, kafe ose ngjyrë të ndryshkur.
- Shkarkim nga thithat që duket rozë, të kuqe, kafe ose ngjyrë e ndryshkur.
- Dhimbja ose shqetësimi i thithit ose gjirit jo gjithmonë do të shfaqet.
Hetimi
- Dhimbje në thith: Nëse dhimbja ose dëmtimi i thithit është i dukshëm, shikoni shkaqet.
- Faza e laktacionit: Sa vjeç është foshnja? Nëse është më pak se dy javësh, gjakderdhja mund të jetë për shkak të ndryshimeve normale të gjirit gjatë shtatëzanisë dhe laktacionit të hershëm.
- Hetimi mjekësor: Nëse gjakderdhja vazhdon për më shumë se një javë, ose nëse ndiheni shumë të shqetësuara, mund të bëni një kontroll te mjeku. Shkaqet e gjakderdhjes mund të hetohen duke ekzaminuar mostrat e qumështit në mikroskop, ose ultratinguj.
- Origjina e paqartë: Nëse shenja e parë e gjakut vjen kur foshnja vjell qumështin me gjak në të, mund të mos jetë e qartë se nga vjen gjaku. Vjellja mund të ekzaminohet për të përcaktuar nëse gjaku ka hemoglobinë fetale ose të rritur, dhe për këtë arsye nëse vjen nga qumështi ose nga vetë foshnja.
Opsionet e trajtimit
Ushqyerja mund të vazhdojë. Gjaku në qumësht nuk do ta dëmtojë foshnjën, megjithëse gjaku mund të shkaktojë të vjella, kështu që fëmija mund të mos tolerojë qumështin me gjak në të. Nëse foshnja nuk e pështyn qumështin, mund të vazhdojë të ushqehet nga të dy gjinjtë. Nëse foshnja pështyn qumështin me gjak në të, mund të pomponi nga ai gji dhe të ushqehet vetëm nga gjiri i paprekur derisa gjaku të pakësohet ose të zhduket, zakonisht brenda 3-7 ditëve. Nëse gjakderdhja vazhdon, mund të konsultoheni me një mjek.
Ndërkohë, opsionet e trajtimit janë:
- Trajtoni dhimbjen dhe dëmtimin e thithave në mënyrë të përshtatshme.
- Jini të kujdesshëm me përdorimin e pompave të gjirit, duke siguruar që kupa të vendoset siç duhet në qendër të gjirit dhe të ketë përmasat e duhura.
- Nëse përdoren kupat e gjirit duhet t’i mbani ato më pak veshur, veçanërisht nëse ato lënë shenja të kuqe në gji. Ulja e kohës se perdorimitmund të ndalojë gjakderdhjen.
- Gjakderdhja nga kapilarët në dy javët e para pas lindjes ka të ngjarë të jetë rezultat normal i ndryshimeve të gjirit, dhe zakonisht nuk ka nevojë për trajtim.
- Gjakderdhja nga papilloma intraduktale zakonisht zgjidhet brenda një jave dhe mund të mos kërkojë trajtim.
Parandalimi
Shumica e shkaqeve të gjakut në qumësht nuk mund të parandalohen, por trajtimi i butë i gjinjve dhe kujdesi në përdorimin e pajisjeve të ushqyerjes me gji mund të shmangë traumat e panevojshme.