Të ushqesh dhe të kujdesesh për një fëmijë të porsalindur kërkon shumë kohë dhe energji. Por kjo përkujdesje do të kthehet në një sfidë edhe më të madhe në rastet kur në shtëpi ai nuk do të jetë fëmija i vetëm! Ky i fundit mund të ndihet në disa momente “i lënë pas dore” gjatë kohës kur ju jeni komplet të fokusuar tek ushqyerja dhe përkujdesja që ai ka nevojë.
E dini se në momentet kur ju përpiqeni të ushqeni fëmijën e vogël me qumësht gjiri apo formule fëmija i madh për të tërhequr vëmendjen mund të bëjë reagime të çuditshme? Kjo sepse sidomos gjatë javëve të para të jetës koha në dispozicion për t’u kujdesur për të mund të jetë shumë pak, të mos harrojmë se disa bebe të porsalindura kërkojnë vazhdimisht dhe vazhdimisht të qëndrojnë në kontakt me gjirin dhe lëkurën e nënës. Prandaj në këtë moment ju duhet të merrni “disa masa”. Dhe kjo mund të përfshijë edhe një kuti me lodra të cilat do të përdoren vetëm në momente të caktuara.
Të mos harrojmë se fëmijët mërziten shpejt me një lodër të caktuar. Dhe në atë moment një lodër e re do të ketë gjithë vëmendjen e fëmijës! Më pas, në momentin kur ushqyerja për ju nuk do të jetë më aq e vështirë dhe do të mund ta bëni edhe me një dorë fëmija më i rritur mund të ulet pranë dhe të lexoni një libër apo të formoni një “puzzle”. Disa fëmijë janë të prirur të ndihmojnë dhe shfaqin dëshirën të përfshihen në proçes. Në këtë rast ju duhet ta përfshini! Ai mund të sjellë napën që do të përdoret gjatë gromësitjes, mund të mbajë nën kontrollin tuaj edhe biberonin e bebit nëse ushqehet me të etj.
Si të menaxhoni orare të ndryshme gjumi për dy fëmijë?
Dalim tek pika më problematike. Të cilën edhe unë si Artemisa e kam pasur problem në fillimet e mia kur solla në jetë djalin e vogël. I madhi ishte vetëm 2 vjeç dhe e merrni me mend besoj se çfarë sfide më priste kur vinte momenti i gjumit. Djali i vogël nuk kishte të njëjtat nevoja për gjumë me të madhin dhe dukej sikur organizimi do të ishte i pamundur.
Në këtë pjesë mund të them se gjatë përgatitjes për gjumë së të madhit fillimisht kërkoja ndihmë që dikush të qëndronte dhe të kujdesej për djalin e vogël nëse ai do të grindej dhe do të qante. Por me kalimin e javëve arritëm në një pikë ku një nga dremitjet e të voglit shkonte dhe përputhej me dremitjen e drekës së djalit të madh.
Nëse do të arrini të sinkronizoni këtë dremitje në të njëjtën kohë do të jetë shpëtim. Dhe kështu ndoshta do të arrini të keni edhe pak çaste të qetësoheni për veten tuaj.
Nga ana tjetër kujdesuni që të organizoni edhe ushqyerjen e atij momenti. Psh: Nëse dremitjen fëmija i madh e ka në orën 13:00-15:00 atëherë filloni ushqyerjen e fëmijës në orën 12:30 në mënyrë që të keni kohë të përfundoni duke marrë parasysh se shpesh zgjat më tepër nga sa mendohej. Pas kësaj shkojmë në dhomën e gjumit dhe fëmijët çohen në gjumin e drekës.
Mund të ndodhë që fëmija i rritur të ketë “hequr dorë” nga dremitja e drekës. Atëherë në këtë rast si veprohet? Ju e dini që unë këshilloj të ketë një periudhë qetësie për fëmijën edhe pse nuk do të flejë. Që do të thotë bashkë me të ju mund të shtriheni dhe të lexoni diçka, të tregoni një histori, ai mund të luajë me lodrat e veta. Të dëgjojë muzikë, etj. Moment i rëndësishëm edhe për ju që të qetësoheni sadopak nga aktivitetet e ditës.
Si të menaxhoni emocionet e fëmijës pasi vjen në jetë bebi?
Sidomos nëse ai ka qënë fëmijë i vetëm më parë në këtë moment mund të përjetojë ndjenja të tilla si:
Mund të ndiejë xhelozi për të porsalindurin;
Mund të ndiejë inat kundër të porsalindurit apo edhe kundër jush/të atit;
Fëmija fillon të ndryshojë sjellje. Fillon të kërkojë më tepër gjëra dhe të sillet në një formë jo të zakonshme;
Nëse më herët e ka kërkuar edhe vetë një vëlla apo motër tani mund të ndihet i/e zgjënjyer që ai/ajo nuk mund të luajë me të.
Normalisht sjellje të tilla për ne të rriturit mund të jenë frustruese dhe të lodhshme por është shumë e rëndësishme që fëmijës më të madh ti japim dashuri dhe siguri, dhe mbi të gjitha të tregojmë shumë durim brenda vetes.
Kini parasysh se:
Kaloni sadopak kohë vetëm ti dhe fëmija më i rritur. Duke luajtur, përqafuar apo duke bërë ato gjëra që ai/ajo dëshiron;
E vlerësoni me fjalë pozitive çdo përpjekje që bën për të ndihmuar me beben e vogël;
Mos vendosni kufij mes fëmijës së rritur dhe fëmijës së porsalindur. Për shembull nëse fëmija dëshiron të luajë me beben e vogël i tregoni se ndoshta ai nuk është ende në gjendje për një lojë të tillë por patjetër që mund ti tregojë figurat e një libri, mund t’i këndojë një këngë, apo t’i bëjë fytyra qesharake (ku normalisht edhe ju stimuloni argëtimin duke qeshur bashkë me fëmijën);
Nëse keni dikë që mund të kujdeset për fëmijën e porsalindur mund të dilni qoftë edhe 30 minuta për një shëtitje të dy bashkë. Vetëm ju dhe fëmija!
Përcaktoni kufij! Nëse duhet të presë pak çaste ja kërkoni dhe ndërkaq aktivizojeni/përfshijeni në atë që jeni duke bërë. Psh: më sill pak letrat e lagura të lutem.
Një këshillë sigurie nga eksperienca personale: Asnjëherë mos lini vetëm të dy fëmijët bashkë! Një vogëlush është i paparashikueshëm! Mund të përjetojë në një X moment një shpërthim emocional inati apo nevoje për “ndihmë” sepse bebit i ka rënë batanija apo sepse duhet ta ushqejë pasi ka uri! Dhe kjo mund të kthehet në një situatë mjaft të rrezikshme!