Rutina e paragjumit është mjaft e rëndësishme për fëmijën njësoj si edhe për ne të rriturit. Mendojeni pak…Vjen moment i të shkuarit në shtrat dhe ju normalisht nuk fikni dritën për t’u futur poshtë jorganit dhe për të fjetur menjëherë.
Keni një rutinë të caktuar e cila mund të përfshijë larjen e dhëmbëve, fytyrës, vendosjen e një kremi dhe veshjen e pizhamave. Pra ju nuk kaloni thjesht nga të qënit aktiv gjatë ditës brenda krevatit direkt në gjumë. Kështu do të ndodhë edhe me fëmijët.
Rutina e ndihmon atë jo vetëm të ndihet i sigurt dhe të pranojë më lehtësisht atë ç’ka do të vijë më pas. Nga ana tjetër rutina është mjaft e rëndësishme sepse gjatë kësaj kohe ju keni mundësinë të mbyllni ditën e fëmijës në një mënyrë shumë të qetë, duke i falur shumë dashuri dhe qetësi.
Përse është e rëndësishme rutina?
Rutina e paragjumit ndihmon në përforcimin e funksionit të orës biologjike të fëmijës duke ndihmuar kështu edhe në ndarjen mes ditës dhe natës. Me kalimin e kohës rutina e paragjumit do të ndihmojë fëmijën të përgatitet edhe në aspektin psikologjik se momenti i gjumit po afron dhe normalisht diçka e tillë bën që të pranohet me lehtësi ajo ç’ka do të vijë më pas.
Duke pasur një rutinë të rregullt dhe strikte fëmija do të ndiejë një ndjenjë sigurie dhe kjo do të jetë një ndihmë e madhe gjatë trajnimit të gjumit apo gjatë një regresi që fëmija mund të jetë duke kaluar.
Si do të ishte një model rutine për fëmijën?
Normalisht jo ç’do model rutine do të funksionojë njësoj për ç’do fëmijë dhe ju duhet të tregoheni fleksible për të zgjedhur atë ç’ka fëmija juaj preferon dhe e bën të ndihet më mirë. Marrim rastin kur fëmija nuk e ka qejf momentin e banjos, në këtë rast nuk duhet ta përfshini si veprimtari në rutinën e paragjumit.
- Fëmija duhet të ushqehet. Nëse fëmija ka tendencën të bjerë në gjumë në momentin që është duke pirë qumësht duhet që këtë veprim ta spostoni në fillim të rutinës.
- Një banjo e ngrohtë do të ketë efekt gjumë-ndjellës tek fëmija. Normalisht kjo nuk duhet të bëhet ç’do natë pasi sipas aprovimit edhe të AMERICAN ACADEMY OF PEDIATRICS lëkura ka tendencën të thahet nga banjot e përditshme por në rastet kur nuk bëhet banjo e plotë mund të bëhet e pjesshme e cila mund të pasojë nga masazhi relaksues.
- Masazhi do të jetë një veprim që do të qetësojë fëmijën dhe padyshim rekomandohet të përfshihet në pjesën e rutinës së paragjumit. Një tjetër arsye përse masazhi rekomandohet në momentet paragjumit është nga fakti se gjatë fërkimit të lëkurës do të stimulohet çlirimi i një niveli më të lartë të melatoninës, hormon që e ndihmon fëmijën të flejë më mirë.
- Një libër apo një ninullë. Pas masazhit, në varësi të moshës së fëmijës apo preferencës, ju mund të zgjidhni të këndoni një ninullë apo të lexoni një libër për disa minuta.
- Zhurmat e bardha. Sidomos për bebet janë shumë efektive duke qënë se ndihmojnë në qetësimin e tyre dhe vënien në gjumë si pasojë e imitimit të zhurmave që fëmija ndien ndërsa qëndron brenda uterusit.
- Disa fjalë që i mësojnë fëmijës së duhet të shkojë në gjumë janë shumë po shumë të rëndësishme. “Natën e mirë zemër. Të dua shumë!” Mund të jenë fjalët që mbyllin rutinën e paragjumit dhe me kalimin e kohës fëmija kupton, mëson më tepër se tashmë është momenti të shkojë në gjumë.
Sa duhet të zgjasë rutina e mbëmjes?
Rutina në varësi të moshës së fëmijës nuk duhet të zgjasë më tepër se
25-30 minuta.
A duhet të kemi edhe një rutinë para dremitjeve?
Patjetër! Shpesh fokusi kalon më tepër tek rëndësia e rutinës para gjumit të mbrëmjes por kjo është po aq e rëndësishme edhe para gjumit gjatë ditës. por kujdes! Rutina gjatë ditës nuk duhet të zgjasë më tepër se 10 minuta dhe duhet të shoqërohet me veprime të thjeshta si ndërrim pelene, veshje pizhamash, mbështjellësja apo thesi i gjumit dhe më pas fëmija shtrihet në shtratin e vet. Edhe në këtë rast mund të përdoren patjetër zhurmat e bardha.