E dini se duke filluar nga java 6-8 e jetës bebet fillojnë të japing sinjalet e para që tregojnë se fillojnë të kuptojnë veprimin që do të vijë më pas nëse ndiqet një rutinë e përditshme? Kjo nënkupton se fëmija është në gjendje duke filluar nga kjo moshë të identifikojë rutinën e para gjumit.
Le të specifikojmë, përse është e rëndësishme rutina?
- E ndihmon të kuptojë veprimin që vjen më pas dhe kjo i fal qetësi;
- Fëmija ndihet i sigurt falë ndjekjes së një rutine të përditshme;
- Fëmija do ta ketë më të lehtë të bjerë në gjumë duke qënë se rutina e paragjumit do të ndihmojë organizmin e fëmijës të clirojë hormonet e gjumit.
Cila duhet të jetë rutina e një bebe të porsalindur para gjumit apo dremitjeve?
- E lani fëmijën dhe nëse nuk bëni banjo të plotë mund të bëni atë të pjesshme;
- Me anën e një kremi për beba apo vaji bëni masazh në gjithë trupin e fëmijës;
- I vishni fëmijës rrobat e gjumit;
- E ushqeni me qumësht dhe më pas i këndoni një ninullë në një ambient të qetë dhe me dritë të ulët. Duhet që ninulla të jetë e njëjta c’do natë në mënyrë që fëmija të kuptojë kur është momenti i gjumit;
- E shtrini në shtrat zgjuar por në gjendje gati për gjumë. Në këtë mënyrë do të mësojë të flejë vetë në mënyrë të pavarur nga ju.
Këtë rutinë mund të filloni ta praktikoni që nga dita e parë e lindjes. Kështu me rritjen fëmija juaj do të ketë një rutinë të stabilizuar që në momentet e para të jetës.