Të ndiesh lëvizjet e fëmijës është vërtet një emocion i madh, dhe jo vetëm në aspektin emocional. Nëna përmes këtyre lëvizjeve shpesh sigurohet edhe në lidhje me mirëqënien e fëmijës. Normalisht duhet të mbani mend se jo të gjithë fëmijët janë njësoj, për pasojë edhe levizjet nuk do të jenë të njëjta, dhe thelbësore është që ju të kuptoni se cfarë është normale tek fëmija juaj. Kështu do ta keni më të thjeshtë të kuptoni edhe se cfarë nuk shkon, kur mund të jeni përballë një situate jo normale dhe për pasojë flisni menjëherë me mjekun.
Fëmija nuk do të lëvizë gjatë gjithë kohës, kjo është normale pasi ashtu si edhe ne ka nevojë të pushojë dhe përgjithësisht këtë e bën gjatë kohës kur ju jeni në lëvizje. Për këtë arsye në këto momente do të vihen re edhe lëzivje më të rralla ndryshe nga moment kur do të shtriheni për të pushuar.
Kur do të ndihen lëvizjet e para të fëmijës?
Kjo përgjithësisht do të ndodhë rreth javës 16-25 dhe nëse është shtatzania e dytë apo e tretë me siguri lëvizjet do të perceptohen më shpejt në këtë hark kohor, me shumë mundësi tek disa gra kjo ndodh edhe rreth javës 13 të shtatzanisë.
Me kalimin e kohës ju do të kuptoni edhe rutinën e fëmijës. Momentet kur ai fle dhe qetësohet dhe momentet kur zgjohet dhe është aktiv.
A duhet të numërohen lëvizjet e fëmijës?
Zakonisht kjo rekomandohet në rastet kur shtatzania shoqërohet me komplikacione, megjithatë nëse mjeku jua rekomandon ta bëni mund të numëroni lëvizjet edhe në rast se shtatzania juaj nuk ka probleme.
Në cilin moment mund të fillojë numërimi i lëvizjeve të fetusit?
Mesatarisht rreth javës 28 dhe fëmija vihet re të jetë më tepër aktiv gjatë kohës kur nëna është shtrirë, po pushon, pas përfundimit të një vakti, pasi ka pirë një lëng të ftohtë, apo edhe pas një aktiviteti fizik.
Fëmija vihet re në përgjithësi të jetë më pak aktiv gjatë orës 09:00-13:00 interval në të cilin edhe niveli i sheqerit ulet.
Nëse vendosni të numëroni lëvizjet e fëmijës duhet të gjeni edhe një pozicion të përshtatshëm, të rehatshëm. Përgjithësisht pozicioni më optimal në këtë proces vihet re të jetë ai shtrirë kthyer anash.
Sa lëvizjet duhet të ndihen mesatarisht?
10 të tilla në harkun kohor të dy orëve, por me shumë mundësi do të ndieni 10 lëvizje edhe në një hark më të shkurtër kohor. Nëse vini re dicka që nuk shkon patjetër duhet të flisni me gjinekologun.