Njësoj si edhe pjesët e tjera të trupit thithat pësojnë ndryshime gjatë shtatzanisë. Duhet të dini se është diçka normale për të cilën nuk duhet të shqetësoheni dhe të mendoni se mund të ketë ndonjë problem.
Dy fjalë rreth ndryshimit të gjinjve në shtatzani
Ndërsa thithat do të errësohen gjinjtë tuaj do të zmadhohen dhe do të bëhen më të ndjeshëm. Edhe pjesa e areolës pëson ndryshime dhe mund të shikoni zmadhim. Ajo që duhet të dini është se tek pjesa e thithave mund të fillojnë të shfaqen disa gjëndra dhjamore (vajore) të cilat kanë si qëllim lubrifikimin e tyre per ta bërë gjidhënien më të lehtë dhe për të mbrojtur fëmijën nga mikrobet.
Përse thithat errësohen gjatë muajve të shtatzanisë?
Edhe pse ende sipas ekspertëve nuk është e qartë arsyeja që e mundëson këtë ndryshim, mendohet se ndodh nga hormonet (ashtu si edhe shumë ndryshime të tjera gjatë shtatzanisë).
Hormonet janë ato që bëjnë të mundur përshtatjen e trupit tuaj përsa i përket mbajtjes së fëmijës në bark dhe lindjes së tij.
Melanina është pigmenti përgjegjës këtë ndryshim dhe gjatë shtatzanisë vihet re një rritje e nivelit të saj. Zona e thithave ka një nivel më të lartë të saj edhe nëse nuk jeni shtatzanë dhe me rritjen e nivelit të saj gjatë 9 muajve ngjyra e thithave dhe areolës do të bëhet edhe më e theksuar.
A ndryshon sërish ngjyra e thithave pas lindjes?
Në më të shumtën e rasteve ngjyra e tyre zbehet dhe shkon tek ngjyra origjinale e lëkurës në atë zonë. Nuk do të ndodhë menjëherë pas lindjes por me kalimin e javëve/muajve. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që disa ndryshime që ndodhin në shtatzani tek disa gra të jetë të përhershme.