Djersitja e fëmijës në gjumë jo gjithmonë është arsye për t’u shqetësuar. Ju duhet të flisni me mjekun e fëmijës nëse vini re që djersitja shoqërohet edhe me simptoma të tjera.
Ndërkaq, përse fëmijët djersiten shpesh ndersa flejnë?
- Nga të qarat. Fëmija në këtë rast lodhet dhe djersitet. Në momentin që do të pushojë djersitja do të normalizohet.
- Pozicioni në të cilin fle. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të rrotullohen vetë dhe për pasojë qëndrimi në një pozicion për një kohë të gjatë do të bëjë që të djersitet shumë.
- Temperatura e dhomës ndoshta është tepër e lartë. Kjo shkakton parehati dhe për pasojë edhe djersitje. Kjo e fundit konsiderohet një mekanizën natyral mbrojtje që organizmi përdor kundër rritjes së madhe të temperaturës në trupin e fëmijës. Nëse fëmija djersitet dhe skuqet në lëkurë me siguri ka vapë.
- Ndoshta e keni veshur trashë e madje edhe e keni mbuluar trashë. Kjo do të bëjë që temperatura të rritet dhe për pasojë të stimulohet djersitja e tepërt. Mos harroni se veshja e papërshtatshme gjatë gjumit rrezikon SIDS prandaj duhet patjetër të mos e teproni.
- Gjumi i thellë. Fëmijët shpesh djersiten së tepërmi në fazën e gjumit të thellë. Nuk është arsye për shqetësim.
- Varet ku ndodhen gjendrat e djersës. Fëmijët ndryshe nga të rriturit shumicën e gjendrave të djersës e kanë në kokë. Ato zhvillohen fillimisht në zonën e skalpit si edhe ballit. Gjendat e djersës në pozicione të tjera do të zhvillohen më vonë.
- Fëmija mund të ketë temperaturë. Dhe kjo shoqërohet me djersitje. Zakonisht këto simptoma shfaqen nëse temperatura vjen si pasojë e një infeksioni apo ftohje.
- Nëse vogëlushi është duke marrë një mjekim të caktuar për uljen e temperaturës është normale djersitja.
- Fëmija mund të vuajë nga apnea e gjumit. Kjo shoqërohet nga gërrhitja, vështirësia në frymëmarrje apo frymëmarrja me anë të gojës. Djersitja është përgjithësisht një simptomë që shoqëron apnean.
Këshilla për mbajtjen e situatës nën kontroll
- Kontrolloni temperaturën e dhomës. Nuk duhet të jetë më tepër se 20-22 gradë.
- Visheni fëmijën gjithmonë në mënyrë të përshtatshme sipas stinës. Zgjidhni gjithnjë veshje pambuku të lehta dhe të rehatshme.
- Kontrolloni të qarën e fëmijës. Përpiquni të kuptoni nga se shkaktohet. Nga uria? Ushqeheni në kohë? Nga një pelenë e pisët? Ndërrojeni. Ndoshta ka nevojë të ngushëllohet pasi ka parë ëndërr të keqe?
- Hidratojeni në mënyrë që të rikuperojë lëngjet e humbura përmes djersitjes.