Probiotikët janë mikroorganizma të gjallë (baktere të mirë) që gjenden në zorrë, kolonizojnë mukozën e zorrëve të fëmijës. Normalisht probiotikët mund të merren edhe nëpërmjet suplementëve që përmbajnë të njëjtat baktere që flora intestinale ka në mënyrë natyrale, duke bërë që zorra të “vishet” nga këto baktere të mira për të lënë pak vend që të shumohen bakteret e këqija.
Në cilat raste mund të përdoren probiotikët?
Sipas studimeve probiotiku mund të ketë efekte pozitive nëse përdoret përgjatë episodeve të diarresë, duke përfshirë edhe diarrenë e shkaktuar nga marrja e antibiotikëve, konstipacionin, dhimbjet e barkut, ekzemat etj.
- Në rastet e konstipacionit sipas studimeve përdorimi i probiotikëve tek fëmijët fillon të ulë episodet e defekimit me vështirësi. Duke bërë gjithashtu të ulet ndjeshëm edhe dhimbja e barkut që shfaqet njëkohësisht në rast konstipacioni. Normalisht këtu nuk përfshihet si trajtim i vetëm marrja e probiotikut në rast konstipacioni kronik, dhe mjeku do të jetë ai që do të sugjerojë trajtimin shoqërues. Konstipacioni shoqëron përgjithësisht fëmijët që kalojnë nga gjiri tek formula dhe nga qumështi tek ushqimet solide, prandaj nëse në momente të tilla verehet vështirësi për të defekuar marrja e probiotikëve mund të jetë një alternativë e mirë trajtimi.
- Në rastet kur kemi të bëjmë me diarre, marrja e probiotikëve është gjithashtu e këshillueshme. Diarreja akute mund të zgjasë 7-14 ditë dhe jo më tepër, nevojitet hidratimi i mirë dhe krahas të tjerave sipas studimeve marrja e probiotikëve ndihmojnë gjithashtu të krijohet një balancë mes baktereve të florës intestinale duke përmirësuar kështu simptomat e diarresë. Njësoj vlen edhe për diarrenë e shkaktuar nga marrja e antibiotikëve, e cila mund të shfaqet si simptomë post trajtimi.
- Nga ana tjeter dhimbjet e barkut janë tepër normale gjatë muajve të parë të jetës dhe ende normalisht ka debate të forta mes ekspertëve në lidhje me shkaqet e shfaqjes. Ndërsa teoritë përkojnë me ajrin që fëmija thith ndërsa ushqehet, ajrin që bakteret e zorrëve shkaktojnë, etj ka disa masa që mund të merrni për të reduktuar simptomat. Sic mund të jetë edhe marrja e probiotikëve për të rregulluar florën intestinale. Njëkohësisht përgjatë muajve të parë të jetës muskujt nuk arrijnë ende të krijojnë ritmin efikas përsa i përket lëvizjes së ushqimit në mënyrë efikase përgjatë traktit gastro-intestinal, dhe normalisht një proces i tillë mund të shkaktojë krijimin e xhepave të ajrit, ç’ka do të sjellë edhe më tepër dhimbje barku. Në këtë pikë probiotikët ndihmojë në pasurimin e florës intestinale duke ndihmuar njëkohësisht në shpërbërjen e ushqimit pa shkaktuar gazra, si edhe qetësimin e inflamacionit intestinal, duke shpërbërë xhepat e ajrit tashmë të krijuara. Mund të merren gjithmonë nën rekomandimin e mjekut apo farmacistes.
Si mund të lehtësohen simptomat e dhimbjeve të barkut?
- Korrigjojmë kapjen e fëmijës, të jetë e thellë. Nëse fëmija ushqehet me biberon rekomandohet që biberoni të qëndrojë paralel me tokën duke ofruar herë pas here pauza.
- Gromësihet fëmija përgjatë si edhe në fund të vaktit.
- Masazhet abdominale janë një ndihmë.
- Kompresat e ngrohta tek barku.
- Përdorimi i probiotikëve me pika.
- Eleminimi i disa ushqimeve si produktet e bulmetit, produktet me bazë soje, kafeina si dhe pijet me gaz nga dieta (përkohësisht) nëse ushqeni me qumësht gjiri.
Cili është probiotiku që mund të përdoret në këtë rast?