“Mami/babi, më ler sepse e bëj vetë!”
Sa herë mund ta kemi dëgjuar këtë shprehje dhe me shumë mundësi jo gjithmonë i kemi besuar se realisht mundet. Herë e kemi lejuar dhe herë jo nga pasiguria por me shumë mundësi edhe juve mund t’iu ketë ndodhur të ngelni të befasuara nga rezultati.
Gjatë fëmijërisë së hershme fëmija pëson një sërë ndryshimesh të shpejta të cilat i përkasin zhvillimit dhe padyshim këtu përfshihet edhe aftësia për të bërë aktivitete të caktuara në mënyrë të pavarur.
Si veprohet në këtë rast?
Krahas frikës dhe pasigurisë që ne si prindër ndiejmë duhet t’i japim mundësinë vogëlushit të praktikojë për të përmirësuar më tepër atë aftësi që ai ka arritur të fitojë. Nësë një ditë fëmija shpreh dëshirën të bëjë diçka vetë nuk duhet ta frenoni.
Sepse do të surprizoheni kur të shikoni se në të vërtetë ai do të jetë në gjendje të:
- Ushqehet me dorën e vet. Praktikën mund ta filloni që në muajt e parë të ushqyerjes por në të vërtete një kapje të mirë dhe ushqyerje optimale me dorën e vet me shumë mundësi fëmija e bën rreth muajit 17 të jetës. Favorizoni praktikën në lidhje me ushqyerjen me dorën e vet edhe për efektet pozitive që ky si proçes ka përsa i përket familjarizimit me ushqimet e ngurta.
- Fëmija juaj mund të kryejë edhe disa punë të thjeshta shtëpie. Prandaj nëse “ofrohet” t’iu ndihmojë nuk duhet ta refuzoni kërkesën. Fëmija duke filluar nga muaji 18 është në gjendje që të ndjekë disa urdhëra të thjeshta prandaj mund të filloni t’i jepni detyra minimale. Por le të jem e qartë, qëllimi nuk është të kemi rezultate të përkryera por ta bëjmë fëmijën të mësohet të kryejë disa detyra teksa argëtohet. Psh mund t’i tregoni fëmijës të vendosë kubat tek koshi.
- Fëmija mund të përpiqet të vishet pa ndihmën tuaj duke filluar nga muaji 24-30 i jetës vajza mund të tentojë të veshë vetë fundin dhe djali tutat.
- Ndërsa pjesa e sipërme e trupit të fëmijës forcohet dhe koordinimin e ka më të mirë (mesatarisht rreth muajit 24) edhe hedhja e një lëngu në gotë mund të jetë një veprim që duhet të filloni të praktikoni. Kjo mund të kryhet si një formë lojë ku mund të vendosni para fëmijës gota plastike me ngjyra dhe madhësi të ndryshme për ta bërë të kalojë një sasi uji nga një enë në enën tjetër.
- Mund të praktikohet të lajë dhëmbët pa ndihmën tuaj. Rreth moshës 2 vjeçare mund të filloni ta lejoni fëmijën tuaj të përpiqet të lajë vetë dhëmbët me qëllimin kryesor të ambientohet dhe të pëlqejë proçesin.
- Mund të krihet vetë me një krëhër të thjeshtë dhe pse jo e lejoni vogëlushin tuaj edhe të lajë vetë duart për disa sekonda duke i shpjeguar edhe rëndësinë e proçesit me fjalë të thjeshta.