E keni dëgjuar ndonjëherë këshillën “mbaje zgjuar deri vonë që të flejë më mirë/më gjatë?”
Këtë mund ta kenë thënë shumë nga familjarët apo miqtë tuaj dhe me siguri nuk do të ketë funksionuar. Sepse praktikisht nuk ka si dhe nuk mund të funksionojë! Është normale që një orar i papërshtatshëm për fëmijën të mos promovojë gjumin e mirë dhe cilësor. Mbajeni mënd mirë dhe mos e harroni asnjëherë.
Vogëlushët kanë nevojë të flejnë herët në mënyrë që të mos mbilodhen. Nëse fëmija do të arrijë në një gjendje të tillë (dhe të rriturit normalisht) organizmi do të fillojë të prodhojë hormone të cilat luftojnë lodhjen. Kjo e bën edhe më të vështirë gjumin cilësor, sidomos kur vjen puna tek bebet.
Por jo vetëm kaq! Fëmijët sidomos muajt e parë të jetës kanë nevojë për shumë gjumë. Konkretisht 11-12 orë nën 1 vjeç, 10-11 orë në moshën 2-3 vjeçare etj.
Cfarë nënkupton kjo?
Mendoni… Kemi një fëmijë që fle në orën 21:00 dhe zgjohet në orën 07:00 apo ndoshta edhe më herët. Pra ai ka një total prej 1-2 orësh gjumë më pak nga sa realisht ka nevojë.
Kjo lidhet në mënyrë direkte edhe me zgjimet e hershme dhe në këtë rast prindërit stepen të vendosin fëmijën të flejë më herët në mbrëmje sepse mendojnë se ai do të zgjohet edhe më herët në mëngjes.
Ora 04:00-06:00 karakterizohet nga një gjumë i lehtë jo vetëm për fëmijët. Siç e theksuam, një fëmijë i lodhur do të zgjohet edhe më herët, prandaj që të shmangim zgjimin në këtë interval kohor duhet që të vendosim vogëlushin në gjumë në një orar më të përshtatshëm në mbrëmje. Në këtë mënyrë edhe nëse zgjohet në këtë interval kohor ai nuk do ta ketë të vështirë të rikthehet sërish me lehtësi në gjumë.
Koha e gjumi të mbrëmjes varet edhe nga ora e dremitjes së fundit!
Koha e qëndrimit zgjuar të fëmijës duhet të jetë në varësi të moshës.
Mesatarisht një fëmijë nën 6 muajsh duhet ta ketë kohën e gjumit të mbrëmjes rreth intervalit 18:00-19:00 dhe mbi 6 muajsh prej orës 18:00-20:00