Tek metoda të ndryshme trajnimi përsa përket gjumit të fëmijës shpesh do të lexoni “vendose në shtrat të përgjumur por jo në gjumë!”
Dhe cfarë kuptimi ka realisht? Kur është momenti i duhur për ta bërë?
Nëse do të bënim një përmbledhje të gjendjes “përgjumësh por jo në gjumë” do të përcaktonim gjendjen në të cilën fëmija është i qetë, por jo me sy mbyllur. Është ushqyer, ka ndërruar pelenën dhe ka veshur pizhamat, ka marrë përkëdheljet e qeta të nënës. Pra ai nuk është aktiv sa të ketë dëshirën të cohet, rrotullohet, të ketë dëshirën të ecë apo të luajë.
Si do të arrihet kjo gjendje tek fëmija?
Falë një rutine të qetë dhe një kohe ideale për gjumë në varësi të moshës së fëmijës. Nëse nuk kemi një kombinim të mirë të dy faktorëve të mësipërm, nuk do të kemi një stabilizim të gjumit të fëmijës.
Rutina duhet të fillojë rreth 20-30 minuta para kohës ideale të gjumit për fëmijën. Përse kaq e rëndësishme koha ideale? Cfarë ndodh nëse kapërcehet?
Nëse nuk respektojmë orarin e gjumit sipas moshës në fund të ditës do të arrijmë me një fëmijë të lodhur dhe shumë të stimuluar, që do të ketë vështirësi në të rënie në gjumë.
Pasi fëmija është larë dhe ndërruar, i keni kënduar një ninullë apo e keni përkëdhelur në një mënyrë të caktuar por të qetë e vendosni në shtrat.
Skemat e dremitjeve dhe orareve te gjumit nga muaji 1 e ne vazhdim
Cfarë ndodh në këtë rast?
Fëmija mund të fillojë të qajë, por duke përdorur dhënien e sigurisë përmes fjalës dhe prekjes do të mund ta ndihmoni të flejë. Me kalimin e ditëve, me ndjekjen e një rutine dhe orareve fikse, me vendosjen e fëmijës në shtrat përgjumësh por jo në gjumë si edhe pa vese do të keni më pak nevojë të ndërhyni për ta qetësuar. Fëmija do të mësojë të flejë vetëm pa ndihmën tuaj.
Perceptimi i gabuar i gjendjes “përgjumësh”
Nëse një natë fëmija arrin në shtrat me sytë që po mbyllen, trupin që lëshohet dhe bie në gjumë në rreth 5 minuta atëherë ka qënë shumë përgjumësh. Përpiquni ditën tjetër të mos ketë arritur në ketë gjendje, të jetë më pak përgjumësh.
Po nëse fëmija nuk është aspak përgjumësh, pra jo mjaftueshëm?
Atëherë, rishikoni oraret. Përpiquni që dremitjen e pasdites të mos e keni shumë afër kohës së gjumit të mbrëmjes. E madje përpiquni edhe që rutina të jetë mjaftueshëm e qetë.
Cila do të ishte idealja?
Një dhomë e qetë, me drita të ulëta. Mund edhe të ushqeni edhe njëherë me gji apo formulë gjatë rutinës por kujdes! Nuk duhet të bjerë në gjumë në këtë moment.
Pas kësaj putheni dhe shtrijeni në shtrat. Në momentin e konsolidimit të gjumit mund të duhen rreth 15-20 minuta që fëmija të bjerë në gjumë.
Si të inkurajojmë vetëqetësimin e fëmijës?
Pasi keni përcaktuar orarin e duhur për gjumin e darkes sipas moshës, keni stabilizuar rutinën, do të jetë momenti ta ndihmoni të vetëqetësohet. Dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për zgjatjen e gjumit gjatë natës.
Pasi fëmijën e keni vendosur në shtrat te qetë i ofroni një “mik gjumi”, mund të jetë një arush ose batanije. Aroma e të cilës do ta bëjë të kuptojë se kur është momenti të flejë. Pra krahas rutinës edhe kjo është pjesë e rëndësishme e stabilizmit.
Pasi ka mësuar të vetëqetësohet dhe flejë do ta bëjë edhe gjatë zgjimeve të natës.
Kujdesuni që fëmija të flejë mjaftueshëm gjatë ditës, në të kundërt në mbrëmje do ta keni të vështirë procesin.
Po ai qan…
Në momentin që ju do të filloni të vendosni fëmijën në shtrat “përgjumësh por jo në gjumë” me shumë mundësi do të qajë. Për ju do të jetë në disa raste e vështirë të refuzoni t’i jepni gjirin apo ta tundni. Ndoshta do ta keni të vështirë të “shpëtoni” fëmijën nga frustrimi por mos ndërhyni menjëherë. I jepni mundësinë të qetësojë vetën ndërsa ju jeni atje.
Gjumi është një aftësi që fitohet!
Ju nuk duhet të hiqni dorë, por mund të përdorni taktinën e ngushëllimit verbal dhe fizik për ta qetësuar dhe për t’i dhënë siguri derisa të vetëqetësohet.
Në momentin që ai do të ketë fituar aftësinë të shkojë në shtrat i qetë (përgjumur) situata do të jetë drejt përmirësimit. Në momentin që do të arrini këto c’ka më lart shkruam do të keni një fëmijë që do të flejë mjaftueshëm dhe kjo është vërtet e rëndësishme për të gjithë!