Pamja e një bebe të porsalindur do të jetë disi ndryshe nga pamja e një bebe që ka disa javë apo madje muaj që ka ardhur në jetë. Bebet e porsalindur nuk qeshin dhe nuk kryejnë veprime të mirë koordinuara si një fëmijë më tepër i rritur. Normalisht edhe pesha do të ketë ndikimin e vet në mënyrën si do të duket fëmija.
Nje imazh me e qarte rreth asaj cfare duhet te presim nga pamja e te porsalindurit
- Le të fillojmë me kërthizën. Ajo do të jetë ndryshe në fillim. Do të jetë ende një pjesë e kordonit umbilikal e cila kërkon kujdesin e duhur pasi mund të ndodhë që të gjakoset.
- Lëkura mund të jetë e veshur prej një shtrese të bardhe (Vernix). Disa fëmijë e kanë tepër të dukshme dhe disa të tjerë jo. Sa më herët të ketë lindur fëmija aq më të madhe do të ketë sasinë e vernixit në lëkurë.
- Lëkura mund të ketë në vende të caktuara edhe pulla të kuqe. Kryesisht janë të dukshme në zonën e ballit apo kapakëve të syrit si edhe zonës së pasme të qafës. Me kalimin e kohës do të zbehen për t’u bërë të dukshme sërish në momentin që fëmija do të jetë duke qarë apo do te jete irrituar.
- Disa bebe lindin me duar në ngjyrë blu. Kjo vjen si pasojë e fluksit të ulët të qarkullimit të gjakut tek këto pjesë të trupit. Pra duart ngjyrë blu tek bebet nuk konsiderohen problematike.
- Koka e fëmijës mund të ketë formë disi të crregullt. E gjithë kjo për vetë faktin se ndërsa i porsalinduri zbret në legenin tuaj kafka do të ndryshojë formë për t’ju përshtatur. Brenda 1 ose 2 ditëve pas lindjes kjo formë do të rregullohet.
- Fëmija mund të lindë me qime të trup! Dhe kjo quhet Lanugo. Shfaqet rreth javës 19 të shtatzanisë dhe mbulon kryesisht fytyrën deri tek veshët. Mund ta dalloni edhe në zonën e shpinës.
- Sytë e fëmijës mund të jenë të fryrë. Presioni që krijohet gjatë lindjes në fytyrën e fëmijës do të shkaktojë pikërisht këtë fryrje. Në disa raste mjeku mund të rekomandojë që të përdoret një pomadë e caktuar për të parandaluar infeksionet e mundshme.