Pjesa më e madhe e fëmijëve fillojnë të ecin kembadorazi nga muaji i 7 deri në muajin e 10 dhe mund të themi se kjo është metoda e parë që ndjekin fëmijët për të ecur në mënyrë të pavarur pa ndihmën e askujt. Ecja këmbadorazi e ndihmon fëmijën për të forcuar muskujt deri në momentin e ngritjes në këmbë.
Më poshtë do ju rendisim disa teknika të cilat do ndihmojnë fëmijën tuaj për të ecur këmbadorazi
1- Para se të jetë gati për të ecur në këtë mënyre ju duhet ta përgatisni fëmijën duke e vendosur ç’do ditë për disa minuta në pozicionin barkas pasi në këtë mënyrë do ti forcohen gradualisht muskujt që do e ndihmojnë për të ecur këmbadorazi në të ardhmen.
2- Një nga mënyrat më efikase për ta arritur këtë është nxitja apo stimulimi i fëmijës për të lëvizur, kjo mund të arrihet duke i vendosur fëmijët përpara lodrat e tij më të preferuara madje mund të qëndroni dhe ju vetë para tij duke e nxitur të vijë drejt jush. Akademia Amerikane e Pediatërve rekomandon vendosjen e jastikëve të ndryshëm ose kutive të vogla si pengesa për të arritur te ‘lodra e dëshiruar’ pasi kjo e ndihmon fëmijën për të bërë më i shkathët si dhe për të rritur vetevlerësimin.
Në situata ë tilla mos e lini absolutisht fëmijën vetë pasi mbi të mund të bjerë ndonjë nga kutitë që do të thotë se fëmija mund të trembet dhe stepet.
3- Shtëpia juaj duhet të jetë një vend i sigurt për fëmijën tuaj në momentin që fillon të ecë këmbadorazi, ju duhet të jeni gjithmonë duke e mbikqyrur pasi ai mund të afrohet te pjesa e shkallëve dhe të bjerë.
Sapo fëmija të ketë mësuar se si të ecë këmbadorazi ai do të mundohet që të ngrihet në këmbë duke u kapur pas c’do gjëje si psh një tavoline apo tek këmba e gjyshes dhe sapo t’i ndieje këmbët që do qëndrojnë të balancuara ai do të fillojë të ecë.
Zhvillimi i këtyre aftësive ndryshon nga një fëmijë te tjetri, por nëse ju vini re që fëmija është duke treguar një mungesë interesi për të ecur këmbadorazi, për t’u zvarritur, rrokullisur apo nëse vini re një moskoordinim të lëvizjes të krahëve apo të këmbëve në të njëjtën kohe, ju mund të lini një takim me mjekun për tu konsultuar.