Një pjesë e madhe e fëmijëve të porsalindur kalojnë verdhëzën, dhe kjo nuk është diçka për të cilën duhet të shqetësohemi! Verdhëza mund të ketë disa shkallë dhe kjo varet nga niveli i bilirubinës që gjendet në gjak.
Dy fjalë në lidhje me verdhezën fiziologjike
Pra është tipi i verdhëzës që nuk lidhet me një problem shëndetësor të caktuar, që shfaqet rreth ditës së tretë pas lindjes, shënon pikun rreth ditës 5-6 dhe më pas zhduket pas rreth një jave.
Dy fjalë në lidhje me verdhëzën e qumështit të gjirit
Mund të etiketohet edhe si “verdhëza me fillim të vonshëm” dhe përgjithësisht e shohim të theksohet më tepër rreth ditës 6-14 pasi ushqyerja me gji ka nisur. Kjo është një zgjatje normale e verdhëzës fiziologjike, kusht që mund të shkoje deri në 3 muaj. Kjo ndodh sepse tek këto raste vihet re prania e një substance tek qumështi i gjirit që bën të mundur ripërthithjen e bilirubinës në zorrët e fëmijës.
Duhet të kemi parasysh se:
Gjatë kohës kur verdhëza, qoftë fiziologjike apo me fillim të vonshëm do tge jete e pranishme, do të ketë ndikimin e vet edhe tek gjidhënia. Fëmija gjatë kësaj periudhe ku verdhëza shënon pikun paraqitet edhe më i përgjumur!
A duhet të bëhet ndërprerja e gjirit në rastet kur kemi të bëjmë me verdhëzën me fillim të vonshëm?
Jo! Më herët është udhëzuar nga mjekët të ndiqej një praktikë e tillë, por studimet e fundit tregojnë të kundërtën. Dhe në këto raste trajtimi kryesor i referohet fototerapisë. Ndërprerja e gjirit qoftë edhe për një kohë të shkurtër do të ketë impaktin e vet në ecurinë e mirë të procesit.
Impakti i verdhëzës tek ushqyerja e fëmijës
Dalim tek pika më e rëndësishme e këtij informacioni. Si do të ndikojë kjo përgjumje e shkaktuar nga verdhëza tek ushqyerja? Sepse ngjan me një rreth vicioz të cilit nuk i gjendet fundi. Pra verdhëza është e pranishme, fëmija përgjumet dhe nuk ushqehet si duhet, duke mos u ushqyer si duhet niveli i bilirubinës qëndron sërish i lartë dhe përgjumja po ashtu! Me shumë mundësi në këtë moment ju shikoni si fëmijën e zë gjumi sapo e afroni tek gjiri.
Atëhërë zgjidhja do të jetë ushqyerja paraprake nëpërmjet lugës, gotes apo shiringes
Shembull: Fëmija ushqehet me një lugë të vogël ose gotë të vogël me një sasi shumë të vogël qumështi (5-10 ml) para se të vendoset në gji. Kjo do të bëjë të mundur marrjen e energjive për të vazhduar vaktin deri në fund. Mungesën e energjive në këtë rast, dhe për pasojë përgjumjen e thekson edhe më tepër mungesa e ushqyerjes. Më pas, fëmija pozicionohet në gji në mënyrë korrekte, më një kapje të thellë, trup të pozicionuar pa hapësira mes jush dhe fëmijës, dhe i ofrohet gjiri, duke pikuar nga sipër nëpërmjet një shiringe pika pika nga pak qumësht sa herë që fëmija tenton të ndalojë së thithuri dhe përgjumet.
Një tjetër veprim që do të ndihmojë fëmijën të transferojë më tepër qumësht do të jetë masazhi në drejtim të areoles më lëvizje të buta të gishtërinjve. Ndryshimi i pozicionit të ushqyerjes, kontakti lëkurë me lëkurë, ekspozimi i fëmijës në diell janë gjithashtu pika shumë të rëndësishme të trajtimit të verdhëzës.
Kujdes!
Nëse ju sugjerohet të suplementoni për të bërë fëmijën të pijë sa më shumë qumësht që të largohet verdhëza mos harroni se faktet janë ndryshe. Nëse fëmija suplementohet përtej kapacitetit të stomakut mund të shfaqen edhe te vjellat por kjo nuk është e vetmja arsye përse shtesa nuk është gjithmonë efektive.
Kulloshtra ke efekt laksativ dhe do ta bëjë fëmijën e porsalindur të defekojë në mënyrë të rregullt duke e bërë nivelin e bilirubinës të ulet ndjeshëm.
Gjithmonë në rastet e verdhëzës gjidhënia duhet të favorizohet dhe jo ndërpritet apo të kalojë në plan të dytë.