Ushqyerja ekskluzive me gji përgjatë 6 muajve të parë dhe më pas duke filluar nga ky muaj deri në vitin e dytë të jetës është shumë e rëndësishme për fëmijën. Kontakti i hershëm dhe i vazhdueshëm i nënës me fëmijën lëkurë me lëkurë, qëndrimi me fëmijën në një dhomë për të ushqyer me gji në çdo moment si edhe mbajtja pranë trupit të saj ndikon ndjeshëm në përmirësimin e proçesit të ushqyerjes me gji.
Por në këtë situatë të vështirë që të gjithë po përpjetojmë, në këtë kohë pandemie sigurisht që edhe nënat gjidhënëse mund të gjenden në dilemë.
A mund të vazhdohet kjo ushqyerje me gji edhe nëse ajo rezulton pozitive ndaj SARS COVID-19?
Sipas OBSH po! Nëna mund të vazhdojë të ushqejë me gji foshnjën edhe nëse tashmë është konfirmuar infektimi ndaj COVID-19. Ekspertët theksojnë se nëna mund të vazhdojë jo vetëm të ushqejë foshnjën e saj me gji por edhe të bëjë kontaktin me lëkurën dhe gjithçka u përmend më sipër duke treguar kujdes më të madh se zakonisht.
Studimet e kryera kanë treguar se NUK ekziston mundësia e transmetimit të virusit nëpërmjet qumështit të gjirit tek fëmija. Nga ana tjetër rreziku i infektimit të foshnjëve nga SARS COV-19 është tepër i ulët dhe asimptomatik. Pa harruar që rëndësia e vazhdueshmërisë së ushqyerjes me gji është më e madhe se ndarja e nënës nga fëmija në momentin që ajo rezulton pozitive.
Në çfarë mënyrë mundet nëna të ushqejë me qumësht gjiri foshnjën nëse rezulton tashmë e infektuar?
- Nëpërmjet ushqyerjes direkte në gji. Në këtë rast sipas “AMERICAN ACADEMY OF PEDIATRICS” nëna duhet të kujdeset maksimalisht për higjënën e duarve dhe maskimin e mirë të fytyrës. Në këtë rast mund të bëhet kontakti lëkurë me lëkurë që ndikon edhe në daljen e fluksit më të mirë të qumështit të gjirit.
- Nëna mund edhe të pompojë gjirin. Qumështi i nxjerrë në këtë rast mund të vazhdojë të jepet me anën e një shiringe në mënyrë që foshnja të mos krijojë konfuzion mes thithit të gjirit dhe biberonit. Edhe në këtë rast nevojitet një kujdes shumë i madh përsa i përket higjenës. Pompa duhet të jetë e sterilizuar në të gjithë aksesorët e vet, duart e nënës të pastruara me kujdes me sapun, dhe maska patjetër e vendosur në fytyrë. Nevojitet patjetër sterilizimi i çdo objekti që do të përdoret dhe shiringa të jetë sterile. Qumështi në këtë rast mund t’i jepet fëmijës nga një person tjetër i cili duhet të jetë gjithashtu duke pëdorur maskën mbrojtëse.
A mundet një foshnjë të qëndrojë në të njëjtën dhomë pas ushqyerjes me nënën e infektuar?
Në këtë rast distanca duhet patjetër të ruhet dhe maska duhet të jetë e vendosur në fytyrën e nënës. Ajo duhet të lajë dhe dizinfektojë mirë duart me alkol minimalisht 60 gradë para se të prekë fëmijën. E njëjta gjë edhe me sipërfaqet. Duhet të dizinfektohen vazhdimisht dhe duhet kujdes maksimal gjatë teshtimave.
Si mund të ruhet sasia e mirë e qumështit të gjirit gjatë infektimit nga ana e nënës?
Në këtë rast duhet të pomponi apo shtrydhni me dorë gjirin edhe pasi fëmija ka pirë në mënyrë që fluksi të ruhet apo të rritet (për nënat që sapo kanë sjellë në jetë foshnjët). Fëmija duhet të ushqehet minimalisht 8 herë në ditë dhe sipas kërkesës.
Edhe pse situata mund të jetë e tillë që të shkaktojë stres tek nëna duhet patjetër të bëhet përpjekja maksimale për të larguar këtë ndjesi. Pasi ndikimi i stresit tek gjidhënia nuk është i papërfillshëm.
Mos hezitoni të kërkoni ndihmë në faqen tonë nëse keni një shqetësim të caktuar gjatë ushqyerjes me gji në këtë periudhë.