Mund të ndodhë që deri në një moment të caktuar të jeni përpjekur shumë që të arrini të stabilizoni një regjim të mirë gjumi tek fëmija dhe në një moment ai kalon një gjendje viroze. Në këtë moment para se të “frikësoheni” në lidhje me regjimin që mund të prishet, duhet të kujtoni se:
Fëmija i sëmurë ka nevojë më tepër për ju! Dhe gjumi gjatë kohës kur është sëmurë do të jetë me ndërprerje të shpeshta, do të ketë sikletet e veta, do të kemi zgjime të shpeshta jo vetëm gjatë natës por edhe gjatë dremitjeve dhe normalisht kjo gjë nuk duhet t’ju bëjë të mendoni se tashmë regjimi juaj i përhershëm morri fund!
Nëse fëmija juaj ka fjetur mirë para se të kalonte një gjendje gripale do ta bëjë edhe pasi situata të përmirësohet. Nëse fëmija juaj nuk flinte mirë edhe para kësaj mund ta trajtoni problemin pasi fëmija të rikuperojë.
Si ta ndihmoni fëmijën gjatë kohës kur është sëmurë?
- Ruani rutinën e përditshme të fëmijës para gjumit të mbrëmjes si edhe gjatë dremitjeve të ditës. Larje e pjesshme ose e plotë, masazh, ndërrim pelene, pizhamat, libër sipas moshës dhe gjatë ditës një version i shkurtër i rutinës së mbrëmjes.
- Dremitjet mund të jenë më të gjata se zakonisht! Mos harroni se gjumi ndihmon fëmijën të rikuperojë më mirë! Dhe gjatë kohës kur jemi sëmurë kemi nevojë për më tepër gjumë se zakonisht, e njëjta gjë ndodh edhe me fëmijën. Por mos harroni se edhe hidratimi, kaloritë e marra gjatë ditës janë tepër të rëndësishme. Deri në dremitjen e radhës përpiquni të ruani intervalin e duhur për ta cuar sërish në gjumë duke ndjekur patjetër edhe sinjalet e lodhjes që fëmija shfaq.
- Nëse dëshironi të qëndroni pranë fëmijë kur është sëmurë teksa fle por nuk dëshironi të krijoni një version tjetër gjumi, atë brenda krevatit tuaj mund të afroni krevatin e fëmijës pranë tuajit dhe ndërkaq secili fle në hapësirën e vet. Nëse fëmija fle ne dhomë të ndarë mund të shkoni ju të flini me një dyshek në dhomën e tij.
- Nëse fëmija nuk arrin të flejë gjatë kohës që është sëmurë mund të jeni ju që e ndihmoni. Gjendja virale si edhe parehatia që fëmija mund të ndiejë e vështirëson në disa momente rënien në gjumë prandaj mund ta ndihmoni duke i fërkuar shpinën, duke e përkëdhelur nga koka, duke e marrë në krahë etj.
- Nëse gjatë ditës nuk ushqehet si duhet, ka diarre si edhe të vjella gjatë natës mund të nevojitet të shtojmë një vakt gjiri apo bibeoni edhe pse më parë nuk e bënte këtë. Hidratimi i mirë i fëmijës është shumë i rëndësishëm.
- Komforti dhe ambienti i duhur do të përshpejtojnë shërimin dhe rikuperimin e fëmijës.
Nëse fëmija ka hundët e zëna do të ishte ok të ngrinim kokën pak më lart se zakonisht?
Vetëm në rast se mjeku rekomandon dicka të tillë mund të vendoset një jastëk poshtë dyshekut të fëmijës.
Si ta kthejmë fëmijën në regjimin e mëparshëm pasi ka kaluar një gjendje virale?
Fillimisht sigurohuni që fëmija është shëruar 100% dhe këtë do t’jua konfirmojë mjeku. Kthejuni rutinës së përhershme të gjumit, me oraret e përhershme dhe nëse keni ndjekur një prej trajnimet e gjumit mund t’i ktheheni sërish udhëzimeve të programit, nevojiten zakonisht 5-7 ditë për të kaluar në modelin e gjumit që fëmija ka pasur. Në të kundërt mund të na shkruani për një konsultë më tepër në numrin e telefonit:
Whatsap- 0693184501