Lëngu amniotik është ai që do të rrethojë fëmijën përgjatë 9 muajve të shtatzanisë. Lëng i kthjellët, me ngjyrë disi në të verdhë që fillon të prodhohet pas 12 ditëve nga ngjizja. Ka rëndësi të madhe për zhvillimin e mirë të fetusit dhe normalisht nësë vihen re anomali përsa i përket lëngut amniotik mund të shfaqen edhe komplikacione.
Disa fakte që duhet të dini rreth lëngut amniotik
- Fillimisht lëngu amniotik përbëhet nga ujërat e trupit tuaj dhe gradualisht do të rritet niveli edhe si pasojë e urinimit të fetusit;
- Përmban element shumë të rëndësishëm, hormone si edhe antitrupa që mbrojnë shëndetin e fëmijës;
- Nëse niveli i lëngut amniotic është shumë i lartë apo shumë i ulët mund të shfaqen probleme.
Cilat janë funksionet e lëngut amniotik?
- Mbron fetusin, shërben si një jastëk që absorbon goditjet apo presionin që vjen nga jashtë.
- Ndikon në rregullimin e temperaturës, duke e mbajtur fetusin ngrohtë dhe temperaturën nën kontroll.
- Mbron fetusin nga infeksionet duke qënë se përmban anti-trupa.
- Ndihmon në zhvillimin e mushkërive si edhe sistemit tretës.
- Ndihmon në zhvillimin e muskujve dhe kockave.
- ka rëndësi të madhe edhe në mbrojtjen e kordonit umbilical ndaj shtypjeve që mund të ndodhin.
Dy crregullimet që mund të shfaqen:
- oligohydramnios: Bëhet fjalë për sasinë e ulët të lëngut amniotik. Kjo zakonisht ndodh në momentin që lëngu fillon të dalë nga zona vaginale dhe mund të konstatohet si problem duke matur sasinë. Nëse vëreni reduktim të lëvizjeve të fetusit mund të flisni me mjekun pasi është një tjetër sinjal që mund të tregojë sasi të ulët të lëngut amniotik. Mund të ndodhë në cdo moment të shtatzanisë por më tepër vihet re gjatë 6 muajve të parë.
- Polyhidramnios. Në këtë rast sasia e lëngut amniotik është me e madhe. Zakonisht shfaqet si problem nëse shtatzania është multiple, pra me më tepër se një fetus. Shenjat paralajmëruese mund të përfshijnë dhimbjet abdominal si edhe vështirësitë në frymëmarrje.