Shumë prej jush kur kam përmendur djepin për herë të parë kanë menduar se i referohem mini shtratit që shohim të përdoret gjatë muajve të parë të jetës, por jo. Në të vërtetë kur flasim për djep i referohemi djepit tradicional që jemi mësuar ta shikojmë të përdoret vite më parë, atje ku fëmija qëndron palevizur, lidhur ose jo dhe përkundet që të flejë.
A duhet të përdoret?
Patjetër që jo! Edhe pse shumë vite më parë nënat shqiptare të kufizuara nga mundësia e të gjeturit një shtrat, të kufizuara nga mungesa e ngrohjes apo nevoja për të marrë me vete fëmijën për të kryer punët jashtë shtëpisë e kanë përdorur gjërësisht të themi në disa zona. Por sot, kur informacioni rreth rrezikut të përdorimit të djepit nuk mungon, kur alternativat për të vendosur fëmijën në gjumë nuk mungojnë përdorimi i djepit është tërësisht i pavend. Pra jo, djepi nuk duhet të përdoret!
Përse nuk e rekomandoj djepin?
Ka disa arsye:
- Djepi është një shtrat i vogël le ta quajmë, tepër i kufizuar në hapësirë që nuk mundëson rehatinë e fëmijës sidomos me kalimin e muajve kur trupi fillon të zgjatet dhe fëmija të rritet;
- Lidhja e fëmijës në djep është tepër e rrezikshme sidomos në stinën e verës kur temperaturat rriten ndjeshëm dhe rreziku ndaj SIDS është gjithnjë një kërcënim për jetën e fëmijës. Nga ana tjetër lidhja e fëmijës në djep rrezikon shfaqjen e problemeve tek artikulacioni i kockave të legenit;
- Tundja e fëmijës në djep është gjithashtu e rrezikshme përsa i përket dëmtimit të trurit të fëmijës. Sidomos nëse ajo është e shpejtë, mjekët kudo në botë po flasin për sindromën e fëmijës së shkundur;
- Tundja në djep shkakton varësi dhe do të shohim se fëmija edhe pse tashmë i rritur do të dojë të përkundet në djep dhe do ta ketë të vështirë të flejë në formë tjetër.
Me pak fjalë djepi është shumë larg të qënit një vend i sigurt për gjumine fëmijës, jo sipas studimeve dhe të dhënave të mjekëve kudo në botë!
Përse fëmija arrin të flejë “më mirë” në djep?
Disa nëna pranojnë se fëmija në djep fle më qetë dhe qan më pak, prandaj të detyruara nga familjarët ose jo kanë zgjedhur ta përdorin. Por më lini ta shpjegoj se cfarë ndodh gjatë përdorimit të djepit.
- Bebet e porsalindura kanë një refleks tepër të theksuar që ndikon në mënyrën si do të flejnë që quhet “refleksi moro” dhe që përkon me lëvizjen e pavullnetshme të gjymtyrëve të sipërme gjatë kohës që janë në gjumë c’ka e bën gjumin shpesh të ngjajë si jo i qetë. Ky refleks, nëse fëmija futet dhe lidhet në djep do të mbahet nën kontroll për vetë faktin se gjymtyrët e sipërme brenda djepit qëndrojnë të lidhura. Përkatësisht nuk do të kemi “trembje” të fëmijës në gjumë, e cila sigurisht nuk është trembje.
Zgjidhja në këtë rast: Përdorimi i një mbështjellëse. Pra nëse shikojmë se i porsalinduri ka refleksin moro të theksuar fillojmë të përdorim mbështjellësen apo një thes gjumi me zinxhir 0.5 togësh.
- Fëmija i porsalindur nuk ka ritëm cirkadian të zhvilluar, e cila është ora e brendshme e jona që kontrollon ciklin gjumë zgjim, dhe nga ana tjetër nuk do të kemi prodhim të hormonit të gjumit c’ka e bën një sfidë vendosjen në gjumë në disa raste. Pra do të shohim se disa fëmijë të porsalindur do ta kenë shumë të vështirë të flejnë pa ndihmë. Atëherë cfarë ndodh? E vendosim në djep dhe fillojmë tundjen. Fëmija arrin të flejë dhe për vetë faktin se është lidhur, pra nuk kemi refleks moro të aktivizuar fëmija do të flejë për orë të tëra.
Zgjidhja në këtë rast: Fëmijën e përkundim duke e shtrirë sipër prakrahut, mbështjellë me mbështjellëse duke lëvizur me përkundje tip kërcimi të lehtë të quajtura “bounce movement”. Pasi e ka zënë gjumi presim 15 minuta para se ta zhvendosim në shtratin e vet, në dimër të parangrohur më herët.
- Fëmija është mësuar të qëndrojë brenda barkut të nënës në hapësirë të kufizuar, c’ka e bën atë shpesh të mos ndihet rehat në një hapësirë të madhe sic është krevati ku ne e vendosim të flejë. Atëherë djepi, duke qënë i mbledhur i jep ndjesinë e te qënit brenda barkut dhe të flejë “më qetë”.
Zgjidhja në këtë rast: Fëmija do të futet në mbështjellëse dhe do të vendoset të flejë tek koshi i karrocës, ose zgjedhim një shtrat që nuk është tepër i madh si fillim. Gjithmonë nëse vërehet se hapësira e shtratit duet shqetësuese. Sepse më e mira është të kalojë në shtratin e vet duke filluar që nga dita e parë e lindjes.
Fëmija në djep qëndron me orë të tëra në gjumë!
Ok, komode në dukje sidomos për familjarët të cilët duan që nusja apo vajza të bëjë edhe punët e shtëpisë, por sa e shëndetshme është për fëmijën të kalojë gjithë ditën në gjumë? Po ushqyerja? Po aktivitetet e tjera që duhet te kryhen sipas moshës? Qëndrimi barkaz? Shëtitjet? Koha e kaluar në krahët e nënës? Të mos harrojmë edhe se c’do fëmijë në mesatare moshe ka një kohë të caktuar që duhet të shkojë në gjumë. Të mos flasim për konfuzionin ditë natë pastaj që do të shohim në rastet kur fëmija lihet të flejë gjithë ditën dhe natën duket sikur dremit.
Fëmija duhet të zgjohet që të ushqehet!
Parësore është kjo! Madje nënave si konsulente ju sugjeroj të stimulojnë zgjimin e fëmijës c’do dy orë gjatë ditës, pra asnjë dremitje të mos zgjasë më tepër se dy orë në mënyrë që të stimulohet gjiri, plotësohen vaktet për të cilat fëmija ka nevojë si edhe merren kaloritë e duhura. Por nëse fëmija lidhet dhe qëndron në djep me orë të tëra si do të ushqehet? Si do të stimulohet prodhimi i qumështit?
Nga ana tjetër fëmija ka nevojë sic e thashë edhe më sipër të shëtisë që të nxitet zhvillimi i ritmit cirkadian nga ekspozimi në dritë natyrale të ambientit të jashtëm, fëmijës ka nevojë t’i këndohet, të stimulohet, të kalojë kohë në krahët e nënës!
A mund të hiqet djepi?
Patjetër! Djepi mund të hiqet në c’do moshë. Nëse dëshiron suport më shkruaj në ëhatsap: 00355693184501
A mund të flejë fëmija pa djep që në lindje?
Sigurisht! Fëmija nuk e njeh cfarë është djepi. Del nga barku dhe prezantohet me këtë lloj forme, me këtë mësohet, dhe sigurisht kjo mund të evitohet, duke ndjekur këshillat e mësipërme si edhe duke u bazuar tek intervalet e qëndrimit zgjuar për moshën.
Por sigurisht në lidhje me të gjitha këto do të udhëzoheni më tepër në programin “Mirëseerdhe Bebush” për moshën 0-3 muajshe që gjithashtu mund ta merrni duke shkruar në numrin e telefonit në ëhatsap 00355693184501.