Ndërsa duhet të them se c’do fëmijë ka vështirësitë e veta kur vjen puna tek gjumi lajmi i mirë është se ju mund ta ndihmoni. Mjafton të ndiqni disa rregulla fikse dhe cilësia e gjumit do të përmirësohet ndjeshëm.
Gjumi i natës është i lidhur ngushtë me të ditës
Para së gjithash duhet të dini se nuk do të kemi cilësi të mirë të gjumit gjatë natës nëse fëmija gjatë ditës nuk ka bërë gjumë të rregullt, nuk ka plotësuar orët që duhen për moshën përkatësë.
Ndërsa në darkë do të arrini me një fëmijë të lodhur dhe shumë të stimuluar, do ta keni të vështirë ta bëni të flejë shpejt dhe si duhet. Prandaj ndiqni:
5 hapa për të përmirësuar dremitjet gjatë ditës
- Rregulloni oraret e fëmijës gjatë ditës duke filluar nga zgjimi i mëngjesit. Nuk mund të kemi një rregull gjumi nëse fëmija një ditë zgjohet në orën 9 pastaj 8, 7, 9 e me radhë. Nëse fëmija ka një orar jo të rregullt gjumi do të jetë e vështirë të vendosni një regjim të mirë. Dhe kjo do të shkaktojë një fëmijë të irrituar me cikle të shkurtër gjumi. Prandaj, stimuloni zgjimin e fëmijës në mëngjes duke mos e kaluar 30 minutëshin nga orari fiks që ka zakonisht. (Ndiq skemën me oraret e gjumit gjatë 24 orëve sipas moshës)
- Ju duhet patjetër të ndiqni një skemë të përshtatshme me orare gjumi për moshën që fëmija ka. Sipas muajve ndryshon edhe koha e qëndrimit zgjuar gjatë ditës, kohëzgjatja e cikleve të gjumit etj.
- Kontrolloni urinë e fëmijës. Në sensin, nëse do të coni në shtrat një fëmijë që nuk është ngopur si duhet me siguri edhe gjumi do të jetë i shkurtër. Për këtë arsye, është e rëndësishme të ndani momentin e ushqyerjes nga momenti i bërjes gati për gjumë. Përse? Sepse nëse kjo nuk ndodh mund të kemi një fëmijë që e zë gjumi në gji. Dhe për pasojë jo vetëm nuk do të ngopet si duhet por edhe do të mësojë një ves gjumi. Sa herë të zgjohet gjatë natës do të duhet të rikthehet në gjumi pikërisht duke pirë gji. Pra një hap për një gjumë cilësor është ndarja e proceseve, ushqyerje/gjumë. Si ta bëni? Usheqejeni fëmijën në një dhomë tjetër. Jo në dhomën e gjumit. Këtë mund ta bëni në sallon, me dritë të ulët (në të kundërt fëmija stimulohet) si edhe të qetë. Mos e lini ta zërë gjumi në gji, prandaj ende pa mbyllur sytë, kur e kuptoni se është ngopur bëjeni të gromësijë dhe shtrijeni në shtrat.
- Edhe dremitjet duhet të kenë një rutinë. Për shembull ndërrimin e pelenës apo një këngë. E zgjidhni ju sipas dëshirës. Përse kaq e rëndësishme rutina? Sepse fëmija kupton se cfarë do të vijë më pas dhe i përgjigjet si duhet veprimit që po bëni. Për shembull e shtrini në shtrat? Fillon të bjerë në gjumë.
- Dhe kjo është po aq e rëndësishme sa edhe oraret apo rutina. Vetëqetësimi i fëmijës! Pra rënia/kthimi në gjumë në mënyrë të pavarur. Pa gjoks, pa tundje, pa asnjë ves tjetër.
Si t’ja dilni?
Praktikisht unë ndjek metodën e trajnimit të fëmijëve të quajtur “Prek dhe përkëdhel”. Kjo nënkupton ndërhyrjen tek fëmija për të mos e lënë të qajë pa ngushëllim.
Pra në momentin që fëmija është shtrirë në shtratin e vet do të fillojë të qajë (është normale, dicka e re po ndodh). Ju afroheni dhe qëndroni në këmbë tek krevati i fëmijës. E prekni tek koka, ja fërkoni lehtë, e prekni në kurriz dhe bëni shshshshhshhs. Nëse kemi një fëmijë që qan në dëshpërim e marrim për pak caste në krahë, e qetësojme dhe e kthejmë në shtrat. Nuk largohemi aspak nga fëmija, dërisa ta zërë gjumi. Por nuk e kthejmë në gji, nuk e tundim. Ushqimi është ushqim gjumi është gjumë! Ju duhet të jeni të bindura se jeni duke bërë gjënë e duhur.
Me kalimin e ditëve fëmija do të mësohet të pranojë atë që jeni duke i propozuar dhe ju do të ndërhyni gjithnjë e më pak.