fbpx
Përgjigje për pyetjet më të shpeshta që bëhen gjatë trajnimit!

Fëmijët kokëfortë, që instistojnë të marrin atë që duan janë shumë të zgjuar dhe të vendosur të arrijnë atë që ata duan. Dhe kjo është një cilësi e mirë e fëmijës apo jo? Sigurisht! Gjithsesi edhe pse fëmija me karakter të tillë do të protestojë fort do të mësojë të përshtatet më shpejt. Nëse ju do të jeni të qëndrueshme, tepër të qëndrueshme ata do të shfaqin sinjalet e parë të progreseve!

Madje shumë nga këta fëmijë përshtaten më së miri që në javën e parë të trajnimit. Pra ky plan funksionon më së miri edhe për ta, por çelësi qëndron tek qëndrueshmëria juaj!

Së pari sigurohuni të mos futet dritë në dhomën e fëmijës. Analizoni edhe njëherë orën në të cilën fëmija shkon në gjumë në mbrëmje. Përpiquni të qëndroni tek orari 19:00, dhe nëse tashmë fëmija e ka këtë orar rishikoni kohën e qëndrimit zgjuar mes dremitjes së fundit dhe gjumit të mbrëmjes. Nëse kjo hapësirë është tepër e madhe fëmija do të vazhdojë të bëjë zgjime të hershme në mëngjes. Nëse jeni duke bërë kalimin në një dremitje më pak dhe krijohet në mënyrë spontane intervali i madh konsideroni futjen e përkohshme të një dremitje të shkurtër para gjumit të mbrëmjes (shiko mini-guidën e reduktimit të dremitjeve). Analizoni mundëisnë e urisë tek fëmija dhe nëse kështu rezulton kujdesuni për kaloritë e marra gjatë ditës.

Rivendosni çuçon/mikun e gjumit brenda shtratit në momentin që shkoni për të qetësuar fëmijën. Mos e fusni çuçon në gojën e fëmijës por vetëm futeni brenda shtratit. Ritheksoj, është shumë e rëndësishme që fëmija të mësojë ta fusë vetë në gojë për të krijuar njëfarë pavarësie dhe për të mos qënë e nevojshme ndërhyrja juaj në ç’do rast. Praktika është çelësi.

Edhe në këtë rast, ashtu si ç’do proçes tjetër duhet t’i referoheni moshës së llogaritur të fëmijës në mënyrë që të arrini të stabilizoni oraret e duhura në varësi të nevojave për qëndrim zgjuar/gjumë/ushqim.

Gjatë trajnimit nuk rekomandohet të bëni udhëtime. Nëse ky udhëtim është planifikuar tashmë spostoni nisjen e trajnimit për një tjetër moment. Nëse fëmija juaj ka nisur të flejë mirë dhe duhet të udhëtoni edhe jashtë shtëpisë rutina duhet të jetë e njëjtë. Nëse duhet të bëni dremitjet në karrocë, është ok. Ndiqni oraret e fëmijës dhe nëse shikoni se do të lodhet (tepër normale gjatë udhëtimeve apo pushimeve) afroni orën që fëmija do të shkojë në gjumë.

Mos u shqetësoni, me rikthimin në shtëpi mund të rifilloni sërish trajnimin me po të njëjtën metodë.

Gjatë trajnimit dhe përpjekjeve për të stabilizuar dremitjen është shumë e këshillueshme të jeni në shtëpi. Në momentin që dremitja sistemohet dhe mënyra si fëmija fle është përmirësuar mund ta bëni aë edhe jashtë shtëpisë. Jeta vazhdon dhe balanca është ajo ç’ka duhet për ta bërë atë të jetë ç’do ditë e qetë dhe e bukur. Dremitjet janë të rëndësishme, por normalisht ju nuk do të shpërnguleni me dhomën e gjumit të fëmijës kudo që ndodheni për të mundësuar të fjeturin në po të njëjtin ambient/kushte sa herë që fëmija fle.

Nëse mendoni/shikoni se fëmija juaj ka gati duke dalë një dhëmb mos e filloni programin. Prisni 2-3 ditë pasi dhëmbi ka dalë për të filluar. Pjesa më e dhimbshme e daljes së dhëmbëve është pikërisht momenti kur dhëmbi është duke çarë lëkurën, por nëse tashmë e keni filluar planin dhe shikoni se dhëmbi është duke dalë nuk duhet të ndaleni. Në këtë rast pranoni se fëmija ka një dhimbje në trup dhe bisedoni me mjekun pediatër për të marrë një medikament qetësues (paracetamol). Duhet të dini se simptomat e daljes së dhëmbëve fillojnë 3-4 ditë para se dhëmbi të dalë dhe 2-3 ditë pas daljes në sipërfaqe. Në momentin që fëmija ka mësuar të flejë përgjatë gjithë natës do të ketë/ndiejë më pak siklet dhe dhimbje.

Fëmija i sëmurë ka nevojë për prindërit. Në këtë rast duhet të stoponi ndjekjen e programit. E di që tingëllon zhgënjyese por duhet ta bëni, nevojat e fëmijës janë primare! Në momentin që do të rikuperojë rifilloni sërish nga e para, me po të njëjtat hapa.

Edhe në këtë rast mos harroni. Fëmija i sëmurë ka nevojë për prindërit! Nëse nuk ndihet mirë do të vjellë, nëse do të vjellë ka nevojë për më tepër vakte ndoshta edhe gjatë natës në mënyrë që të hidratohet. Pra ndiqen nevojat e fëmijës edhe gjatë zgjimeve të natës. Rutina vazhdon e njëjtë, ndoshta nevojat e fëmijës për gjumë gjatë ditës do të rriten por plani i trajnimit mund të rifillojë sërish pasi fëmija të bëhet më mirë.

Pikë së pari duhet të kuptoni përse ndodh, edhe pse rrallë. Në momentin që ushqeni dhe gromësini fëmijën barku ka qënë mbushur me qumësht. Në momentin që fëmija nis të qajë futet ajër nga të qarat dhe normalisht ky ajër kalon në barkun e fëmijës i cili normalisht është mbushur me quëmsht. Në këtë moment fëmija gromësin dhe për shkak së të qarave kjo gromësitje është tepër e fortë. Ç’ka provokon të vjellën ose nxjerrjen e një sasie qumështi.

Në këtë rast duhet të ndërroni fëmijën dhe stoponi trajnimin për atë natë dhe vazhdoni sërish natën tjetër.

Fëmijët kanë një orë të brendshme dhe ritmet e veta. Në këtë grupmoshë fëmija intervalin që shkon më lehtë në gjumë në mënyrë natyrale e ka siç e kam shpjeguar edhe më sipër rreth 19:00-20:00 por për disa fëmijë edhe ky interval nuk përbën problem. Nëse për ju është domosdoshmëri implementojeni edhe nën 24 muajshe por përsa më përket mua mund të them se me më tepër lehtësi fëmija mund të përshtatet me këto orare duke filluar nga mosha 2-3 vjeçare, gjithmonë nëse është vërtet e domosdoshme.

Regreset e gjumit lidhen në mënyrë direkte me progreset e fëmijës në zhvillim.

Në lidhje me arsyet përse ndodh shiko videot, përsa i përket mënyrës si duhet të veprohet në këtë rast mund të them se:

  • Rutina vazhdohet të mbahet e njëjtë;
  • Oraret nuk duhet të ndryshojnë edhe pse fëmija në pamje të parë ngjan sikur nuk e do një gjumë gjatë ditës/oraret;
  • Qëndrueshmëria e ndjekjes së rutinës së përhershme është tepër e rëndësishme;
  • Regresi zgjat mesatarisht 2-3 javë;
  • Praktikohet rutinë dhe aktivitete edhe më të qeta gjatë mbrëmjes;
  • Stimulohet praktika për secilën moshë përkatësisht si më poshtë;
  • Fëmija trajnohet për të fjetur pa vese. Nëse sapo keni bërë antarësimin tek programi dhe jeni para një regresi mos ndaloni. Trajnimi mund të vazhdohet për t’i mësuar fëmijës të flejë pa vese dhe normalisht të kapërcejë më me lehtësi regresin

Fëmija në këtë rast fillon të hedhë hapat e parë, fillon të mësojë fjalë të reja, dhe mbi të gjitha truri përjeton një zhvillim shumë të madh. Fëmija tashmë mëson se fjala e tij dëgjohet, se veprimet që ai bën kanë ndikim tek të tjerët. Dhe mbi të gjitha kupton se tek dremitjet dhe gjumi  natës ekzistojnë alternativat. Si vepron fëmija në këtë rast?

Ai qan derisa të marrë atë që do! Pra në këtë formë do të provojë sa zëri i tij/saj do të ndihet. Në këtë rast ju duhet të vazhdoni të ndiqni planin dhe teknikat qetësuese. Me kalimin e ditëve fëmija do të kuptojë se ju jeni e vendosur/e keni seriozisht këtë ndryshim dhe do të pranojë të flejë në atë formë të shëndetshme, pa vese dhe në mënyrë të pavarur.

Në momentin që fëmija fillon të përmirësojë gjumin e natës dremitjet mund të fillojnë në mënyrë natyrale të përmirësohen ose ç’rregullohen tërësisht. Në këtë rast duhet zyrtarisht të mendoni të filloni trajnimin e tyre (referoju trajnimit të dremitjeve).

Gjatë 14 ditëve të para të trajnimit fëmija mund të duket disi i irrituar. Nuk duhet të shqetësoheni, me përmirësimin e gjumit fëmija do të fillojë të shfaqet më i qetë dhe i lumtur gjatë ditës. Bëni durim dhe vazhdoni me qëndrueshmëri të zbatoni programin.

Në këtë rast ju do të vazhdoni të ndiqni oraret gjatë ditës sipas moshës së fëmijës. Zbatoni me përpikmëri rutinën e paragjumit në mbrëmje, para-dremitjeve, vendosni fëmijën në shtratin e vet zgjuar dhe largoheni. Tashmë ai ka mësuar të flejë pa ndihmën tuaj dhe normalisht nuk është më e nevojshme të qëndroni. Në këtë rast mund t’i nevojiten 5-20 minuta të bjeërë në gjumë. Mund të këndojë, “bisedojë” me veten e vet, bërtasë, lëvizë nëpër krevat, luajë me mikun e gjumit ju nuk duhet të ndërhyni! Tashmë është momenti të shkojë vetë në gjumë!

Ju duket e parealizueshme? Ju them se e keni gabim! Ndiqni me përpikmëri hapat e këtij programi dhe do t’ja dilni!